Shtatë gratë që kërcënuan mëngjësin e së hënës se do të hidhen nga tarraca e një pallati nëse nuk respektohet kontrata e firmosur tre vjet më parë me ndërtuesin Namik Pelivani, kanë përfunduar protestën e tyre.
Në një lidhje direkte për emisionin ‘Pasdite në Top Channel’, ato vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e kontratës. Sipas tyre, pronari i ka mbajtur tre vjet me premtime dhe gënjeshtra.
Po në emisionin e pasdites, zoti Namik Pelivani sqaroi se banoret që kërcënuan me vetëvrasje nuk janë pronare të tokës, por kishin ndërtuar shtëpitë e tyre pa leje.
“Ato nuk janë pronare të tokës. Pronarët janë dy familje tiranase”, u shpreh Pelivani duke treguar dokumentet e pronësisë.
“Zotërinjtë që ankohen janë ndërtues pa leje që kanë ndërtuar mbi tokën e pronarëve të ligjshëm. Kanë aplikuar për proces legalizimi, por ajo zonë nuk është legalizuar”, shton Pelivani dhe më pas lexoi ligjin 9482 sipas të cilit nuk legalizohen ndërtimet pa leje të ngritura mbi pronat private.
“Unë ndjek ligjin. Në momentin që pallati ndërtohet këta zotërinj duhet të interesohen për tu legalizuar dhe më pas do të marrin metrat që i takojnë. Por, duhet të jenë në rregull me ligjin sepse unë ndjek vetëm ligjin”, përfundoi Pelivani.
Ndërsa banoret u përgjigjën duke thënë se me legalizimin janë në rregull: “Ai e dinte që ne nuk ishim pronarë të tokës kur na prishi shtëpitë dhe bëri kontratën. Zotëria gënjen.”
Top Channel