Halimi inspekton burgjet

27/03/2012 19:55

Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, inspektoi burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin.

Kjo vizitë e Ministrit të Drejtësisë vjen pikërisht pas publikimit të raportit të Këshillit të Europës, i cili është shprehur se ndaj të dënuarve ushtrohet dhunë nga gardianët e burgjeve apo oficerët e policisë.

Halimi u shpreh se trajtimi i të dënuarve, në një shtet tregon dinjitetin e tyre dhe se Ministria do të bëjë të mundur rritjen e performancës në burgjet shqiptare, duke garantuar respektimin e të drejtave të të dënuarve.

Njëkohësisht ai premton se do të vizitojë të gjitha burgjet shqiptare për të parë nga afër se ç’po ndodh në të vërtetë duke nisur verifikimet.

“Pak kohë më vonë, do të shkojmë për të inaguruar paraburgimin e Elbasanit, më moderni në Ballkan, me dy sisteme ngrohje e ftohje që as hotelet se kanë në Shqipëri. Kjo qendër është pjesë e një sistemi të përmirësuar të vuajtjes së dënimit, që po përmirësohet çdo ditë në Shqipëri”, deklaroi Halimi.

Halimi: Debati me Prokurorinë është kushtetues

Gjithashtu, kreu i Drejtësisë foli edhe për debatin mes  Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duke thënë së raporti që është paraqitur në Kuvend është korrekt.

“Prokuroria, ashtu siç dhe ka dërguar raportin me shkrim, konstaton se shkeljet nuk rezultojnë të tilla dhe se prokurorët kanë bërë një punë të shkëlqyer. Nga ana tjetër, ekspertët e Ministrisë çmojnë që 300 prokurorë janë në dosjet e tyre shkelje të rënda apo më pak të rënda. Sidoqoftë, ky është një debat brenda formatit kushtetues, ligjeve kushtetuese. Ministria bën punën e saj duke verifikuar ankesat dhe kërkesat e shqiptarëve”, tha nga Peqini ministri i Drejtësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA