Champions, ndeshjet e para çerekfinale

27/03/2012 15:30

Fillojnë ndeshjet e para të fazës çerekfinale të Champions League.

Dy ciftet e para do të jenë Apoel-Real Madrid dhe Benfika-Chelsea. Skuadra qipriote e cila është konsideruar si surpriza e këtij sezoni të Champions-it, do të luajë në fushën e saj përballë 9 herë fituesve të Champions League, Realit të Madridid, dhe padyshim që janë spanjollët pretendent jo vetëm për fitoren e ndeshjes por edhe për kualifikimin e mëtejshëm.

Trajneri qipriot nuk e fsheh kënaqësinë, por në të njëjtën kohë edhe frikën që do të luajnë me një nga skuadrat më të mëdha në botë: “Sigurisht që kjo është një ndeshje e veçantë për ne, pasi luajmë përballë një prej skuadrave më të mëdha në botë dhe do të kemi mundësinë të shohim çfarë mund të bëjmë përballë këtij Reali, gjithsesi është një ndeshje shumë e fortë për ne.”

Apoeli do të luajë në këtë ndeshje pa brazilianin që ka qenë protagonist për ta në këtë edicion, Gustavo Manduka.  

Ndërkohë Mourinho shprehet: “Ne i respektojmë shumë ata, vërtet nuk krahasohet historia e të dy klubeve, nuk krahasohen lojtarët, nuk krahasohet fuqia ekonomike, por futbolli është futboll dhe ne prandaj i respektojmë, pasi kanë ardhur këtu me meritë dhe jo se i kanë ndihmuar.”

Reali do të luajë sot pa mesfushorin Xabi Alonso i cili ka kartona, por edhe pa Lass Diarra i cili është i dëmtuar.

Ndeshja tjetër e mbërmjes së sotme është ajo mes Benfica dhe Chelsea që zhvillohet në Lisbonë. Skuadra portugeze vjen pas një barazimi zhgënjyes në kampionat 0-0 që i la në vendin e dytë, një pikë larg Portos.

Ndëkorhë Chelsea i drejtuar nga Di Mateo ka një tjetër ritëm. Në prag të kësaj ndeshjeje ai deklaron se ka shumë besim tek skuadra e lojtarët e tij që do t’ia dalin të kualifikohen për më tej.

Top Channel