Allegri: Do të jetë ndeshje e vështirë

27/03/2012 15:15

“E presim ndeshjen kundër Barcelonës me qetësi. Jemi mes tetë skuadrave më të mira të Europës dhe kjo gjë nuk ndodhte prej katër vitesh. E dimë që do të jenë takime shumë të vështira, por jo vetëm për ne. Edhe Barcelona do e ketë të vështirë.”

Këto janë fjalët e teknikut të Milanit, Massimiliano Allegri, në prag të ndeshjes së parë çerekfinale të Ligës së Kampioneve që do të shohë të mërkurën në mbrëmje kuqezinjtë përballë katalanasve në San Siro.

“E dimë forcën e kundërshtarit, por nuk kemi frikë. Duhet të tregojmë në fushë atë që dimë të bëjmë. Nëse nuk ia dalim mbanë do duartrokasim lojtarët e Barcelonës dhe do i urojmë për fitoren”, theksoi trajneri italian.

“Jemi ndeshur edhe dy herë më parë me Barçën dhe shpresojmë të kemi nxjerrë mësime. E dimë se si luajnë dhe lojtarët e mi do të jenë shumë të motivuar për këtë takim”, shtoi Allegri, i cili u paraqit para gazetarëve së bashku me sulmuesin Zlatan Ibrahimovic.

Suedezi nënvizoi se Milan është gati të sfidojë Messin me shokë: “Jemi përgatitur mirë dhe jemi gati. Le të ndodhë çfarë të ndodhë, por shpresoj të ndodhin gjëra të mira për ne. Ata janë ekipi më i mirë në botë dhe duhet të bëjmë ndeshjen perfekte të gjithë ne. Tradita thotë që Milan është paraqitur gjithmonë në lartësinë e duhur kur bëhet fjalë për Champions.”

Top Channel