Rrjeti shoqëror që përdoret nga 850 milionë persona në botë, “Facebook”, është një vend i shkëlqyer për të krijuar shoqëri të reja, për të reklamuar apo për të shpallur interesat personale.
Megjithatë, deri tani, në profil, mund të shtosh miq, por jo armiq, ndërsa mund të zgjedhësh “e pëlqej” (like) pothuajse për gjithçka, por nuk ka një buton të anasjelltë.
Së fundmi, një aplikacion i ri, i quajtur Enemy Graph, do të lejojë këdo që të shtojë një listë me armiq në profilin e rrjetit shoqëror, përfshi persona realë apo produkte e kompani të ndryshme.
Aplikacioni do t’i japë mundësi që kushdo “të shpallë luftë” ndaj kujtdo, ndërsa sapo të klikohet “dislike” (nuk e pëlqej), produkti, personi apo kompania do të shtohet në listën e armiqve, e cila do të mund të gjendet përkrah listës së miqve.
Megjithatë, krijuesi i aplikacionit, Dean Terry, i Universitetit të Teksasit, nuk është shumë optimist për përfshirjen e tij midis opsioneve të “Facebook”.
”Programi ynë është një blasfemi për mënyrën se si janë konceptuar rrjetet shoqëror dhe personalisht, do të habitem nëse “Facebook”, do të lejojë përdorimin e tij”, tha Terry.
Deri më sot, rrjeti shoqëror ka patur kërkesa të shumta për të përfshirë një buton “unlike”, përfshi një peticion të firmosur nga tre milionë persona, por një buton i tillë nuik është shtuar.
Top Channel