Rritja e gazrave serrë

25/03/2012 00:00

Edhe Shqipëria pritet të jetë një nga vendet që duhet të marrë masa të forta për uljen e shkarkimit të gazrave serrë në atmosferë gjatë viteve të ardhshme.

Studimet e fundit në departamentin e klimës në Ministrinë e Mjedisit, tregojnë se në vitin 2050 shkarkimi i gazrave serrë nga transporti do të jetë i lartë ndaj pushteti vendor dhe ai qendror duhet të hartojë projekte afatgjata për një transport të qëndrueshëm publik.

“Duhet të synohet drejt një transporti të qëndrueshëm, drejt transportit publik me sa më pak emetime të gazeve sërrë”, thekson Laureta Dibra, përgjegjëse e sektorit të ujit dhe ndryshimit të klimës.

Por edhe për bizneset e mëdha që ushtrojnë veprimtarinë në fushën e industrisë do të ketë kufizime të forta.

Industria e rëndë do të ketë kufij për emetimin e gazeve me efekt serrë”, shton Dibra.

Vendet e Bashkimit Europian kanë kërkuar që këtë vit vendet tranzitore, si Kina, por edhe Shqipëria të mos jenë vetëm përfituese, por të investojnë direkt për uljen e shkarkimit të gazrave serrë në atmosferë.

Në maj dhe qershor të këtij viti pritet që të vijojnë negociatat mes vendeve tranzitore dhe atyre investuese mbi qëndrimin që do të mbahet në të ardhmen për investimet dhe masat konkrete që do të merren.

Top Channel