Me më shumë se 800 milionë përdorues në të gjitha vendet e botës, një rrjet shoqëror si “Facebook” është ideal për të kryer sondazhe mbi të dhënat e ndryshme të popullsisë.
Një studim i thelluar në rrjet, u përqendrua vetëm tek statuset, si beqar, i lidhur, i martuar apo i divorcuar. Përfundimi, për të tre grupmoshat kryesore, nën 25, 25-44 vjeç dhe mbi 45, ishte i njëjtë, me stinën e verës që regjistron më shumë ndarje se çdo stinë tjetër.
Të dhënat tregojnë se nga maji deri në gusht, numri total i përdoruesve beqarë të rrjetit shënon një rritje. Me të dhëna aq të pasura në dispozicion, Facebook ka qenë në gjendje që të bëjë studime edhe më të detajuara.
Kështu, statistikat e grumbulluara nga përdoruesit amerikanë në periudhën 2010-2011, tregojnë se ditët me më shumë lidhje të vitit janë Shën Valentini dhe Krishtlindjet, ditë në të cilat numri i lidhjeve është 49% më i lartë se i ndarjeve.
Përsa i përkët një jave, ditët më me fat për lidhje të reja janë e diela, e hëna dhe e marta, kur regjistrohen edhe fitoret më të mëdha për “Kupidin”. E shtuna është dita më me fat për ata nën moshën 25 vjeç, por jo për grupmoshat e tjera, që kanë ditët e fundit të javës, përfshi të shtunë, ditë me një përqindje shumë më të lartë ndarjesh.
Sipas drejtuesve të këtij studimi, mbase trendi i ndarjeve rritet në mënyrë të vazhdueshme në fundjavë, pasi duke qenë se shpesh është një argument i vështirë, një person që kërkon ndarjen e lë këtë argument për në fundjavë, pasi të përfundojë punë dhe të jetë më i qetë.
Top Channel