
Presidenti amerikan Barak Obama paralajmëroi Korenë e Veriut se nuk do të arrijë asgjë me kercënime apo provokime. Reagimi i prerë i shefit të Shtëpisë së Bardhë vjen pas shpalljes së planeve të Penjanit për të lëshuar një raketë me rreze të gjatë veprimi, që sipas autoriteteve koreano-veriore do të hedhë një satelit në orbitë.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin e Koresë së Jugut, Li Mjung Bak, në Seul, Obama tha se “dy vendet janë të bashkuar dhe se sjellja e keqe e Penjanit nuk duhet të përsëritet”.
“Ata duhet ta kuptojnë se sjellja e keqe nuk duhet të përsëritet. Ka qenë një model për dekada, gjatë të cilave Korea e Veriut mendonte se nëse sillej në mënyrë provokative do të përfitonte”, u shpreh presidenti i SHBA-së.
“Presidenti Obama dhe unë ramë dakord të fuqizojmë gatdishmërinë në mbrojtje si dhe të arrijmë një përgjigje të vendosur ndaj çdo kërcënimi apo provokimi nga Korea e Veriut”, theksoi nga ana e tij presidenti i Koresë së Jugut.
I parashikuar më 12-16 prill, lëshimi i raketës që do të përkojë me 100 vjetorin e lindjes së Liderit të Madh, Kim Il Sung, bie ndesh me marrëveshjen e arritur muajin e kaluar sipas të cilës Penjani duhet të ngrijë çdo aktivitetet bërthamor apo të ndalojë çdo test balistik për të marrë në këmbim ndihma ushqimore.
Zyrtarët koreano-jugorë thanë se trupi i raketës është zhvendosur në vendin nga ku do të lëshohet, çka dëshmon përgatitjet për testin.
Më herët, presidenti amerikan vizitoi zonën e çmilitarizuar mes dy Koreve, një nga më të mbrojturat në botë. Shtetet e Bashkuara kanë rreth 28 mijë trupa të stacionuar në Korenë e Jugut, sipas një pakti të firmosur pas luftës koreane.
“Kontrasti mes dy anëve nuk ka si të jetë më shumë i dukshëm duke shprehur mirënjohjen për ushtarët që kanë dashur të krijojnë hapësirën dhe mundësinë për liri dhe begati”, deklaroi Obama.
Të hënën presidenti Obama krah 50 udhëheqësve botërorë do të marrë pjesë në samitin dyditor mbi sigurinë bërthamore që zhvillohet në Seul, kryeqytetin e Koresë së Jugut. Qëllimi i tij është të parandalojë grupet kriminale apo militantët në blerjen e armëve bërthamore.
Programi bërthamor i Penjanit nuk është në axhenden e samitit, por shefi i Shtëpisë së Bardhë do të diskutojë programet e Penjanit dhe Teheranit në takimet dypalëshe me presidentët e Kinës dhe Rusisë.
Top Channel