Ligjvënësit amerikanë kanë lëvruar 88 milionë dollarë në formë ndihme për palestinezët, shumë kjo që ishte ngrirë për më shumë se gjashtë muaj.
Lëvizja vjen pasi dy anëtarë të vjetër republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve tërhoqën kundërshtimin e tyre për lirimin e fondeve.
Një prej tyre, Illena Ros Lehtinen deklaroi se paratë nuk duhet të shkojnë në Rripin e Gazës, që qeveriset nga lëvizja islamike e Hamasit. Gjithësesi, ajo tha se do të vazhdojë të bllokojë ndihmën e mbetur prej 58 milionë dollarësh.
Përmes një letre, republikania u shpreh se ishte e shqetësuar se fondet mund të përfundojnë në duart e militantëve dhe të përdoren nga ata për qëllimet e tyre.
Zonja Ros Lehtinen, që drejton Komitetin e Punëve të Jashtme, theksoi se po i zhbllokonte fondet me shpresën se ato nuk do të përdoren për ndërtimin e rrugëve në Bregun Perëndimor, ose për promovimin e tregtisë dhe turizmit nga palestinezët.
Ligjvënësit amerikanë i kishin bllokuar fondet që kur Autoriteti Palestinez u përpoq të siguronte njohjen si anëtar i OKB-së shtatorin e vitit të kaluar.
Por një komitet i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dështoi në arritjen e një marrëveshjeje për kërkesën palestineze. Thuhet se këto para do të përdoren për shëndetësinë, sistemet e ujësjellësit dhe për ushqime për palestinezët.
Top Channel