Meta: Fund konflikteve politike

24/03/2012 11:00

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka mbajtur një fjalim në konventën e gruas të organizuar nga kjo parti, ku ka vlerësuar rolin e saj në shoqërinë civile dhe në politikë.

“Në themel të forcës sonë politike qendron energjia pozitive. Për të ecur përpara Shqipëria nuk ka nevojë për politikanë që shtojnë pengesat, por për dashurinë e grave”, ka deklaruar Meta.

Kreu i LSI ka folur edhe për shoqërinë shqiptare në tërësi, e cila sipas tij u tregua e barabartë më shoqëritë e vendeve evropiane kur u hoqën vizat.

“Dikush ishte i shqetësuar se po të hiqeshin vizat, disa qindra mijëra shqiptarë do të kërkonin azil politik në vendet e BE-së. E thoshin këtë sepse donin të ndëshkonin shqiptarët në mënyrë të padrejtë. Por, pas më shumë se një viti, shqiptarët treguan se janë qytetarë të denjë evropianë, për të përmbushur të gjitha detyrimet”, ka thënë Meta.

E njëjta gjë sipas tij thuhej edhe për statusin e kandidatit. “Shqipëria duhet ta kishte marrë statusin e vendit kandidat. Pengesë për këtë ka qenë politika, nuk kanë qenë as kriteret e tjera ato ekonomike, ku Shqipëria është vlerësuar vazhdimisht për reformat që ka ndërmarrë, nuk ka qenë as përafrim i legjislacionit ku është bërë një punë e jashtëzakonshme, por për fat të keq ka qenë politika e papërgjegjshme, e cila në vend që të japë kontributin pozitiv, përkundrazi përpiqet të gjejë pretekse për të vonuar një proces, i cili ka të bëjë me një aspiratë mbarë kombëtare”, tha Meta.

Më tej Meta ka shprehur mirënjohjen e tij për studentët e dhjetorit, por edhe për të gjitha gratë e vajzat e Shqipërisë që mbështetën ndryshimet demokratike.

“Ne jemi këtu për të treguar vendosmërinë tonë, në Shqipëri dhe në Evropë, që pozita e gruas të fuqizohet nga pikëpamja ekonomike-sociale, në institucione dhe në jetën politike e shoqërore të vendit”, ka shtuar Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA