Londër, atentati ndaj bankierit rus

24/03/2012 00:00

Një ish-bankier rus po ruhet nga agjentë të armatosur në Londër, pasi u
qëllua me armë zjarri në një lagje në lindje të kryeqytetit britanik.

German Gorbuntsov u qëllua nga një person teksa po hynte në apartamentin e tij në Byng Street, bën të ditur rrjeti informativ britanik BBC.

Sipas burimit, aktualisht 40-vjeçari ndodhet i shtruar në spital dhe gjendja shëndetësore është vlerësuar nga mjekët si rëndë por stabël.

Policia londineze ka deklaruar ndërkohë se është herët të spekulohet mbi lajmet e publikuara në mediat ruse, që e lidhnin atentatin me një tentativë vrasjeje të kryer ndaj një tjetër bankieri, Alexander Antonov, në Moskë.

Policia metropolitane refuzon gjithashtu të konfirmojë zërat se atentatori ka përdorur një armë automatike dhe nuk publikon emrin e spitalit ku po mbahet Gorbuntsov.

Personi i dyshuar si autor i tentativës së vrasjes është një mashkull i bardhë që sipas të dhënave është larguar me shpejtësi përgjatë Westferry Road.

Detektivë nga njësia për krimin e organizuar po drejtojnë hetimet mbi ngjarjen, që ndodhi gjatë mbrëmjes së të premtes. Gorbuntsov më parë ka qenë pronar bankash në Rusi dhe Moldavi.

Aleksander Nekrassov, një ish-këshilltar i Kremlinit, tha për BBC se: “Ngjarja duket si një vrasje me pagesë, pasi një automatik nuk është arma që do të përdorte një amator”.

“E rëndësishme është se zoti Gorbuntsov e ka thënë publikisht përmes avokatit të tij, se mund të njohë personat që kanë tentuar të vrasin bankierin Alexander Antonov në vitin 2009, prandaj mund të themi se atentati ndaj tij është i lidhur me këtë ngjarje”, ka thënë Nekrassov.

Top Channel