Një 13-vjeçar është qëlluar për vdekje në Port Said të Egjiptit, gjatë një proteste të dhunshme që shpërtheu pasi skuadra e futbollit e qytetit u pezullua.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat shtetërore lokale, sipas të cilave dhjetra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, kur qindra fansa të klubit Al Masry u përleshën me policinë.
Al Masry, një nga ekipet kryesore të Egjiptit, është pezulluar për dy vjet pas akteve të dhunës të regjistruara në stadiumin e tij në shkurt, ku humbën jetën të paktën 74 persona.
Një hetim penal i hapur nga autoritetet në atë kohë është ende në vazhdim e sipër. Pezullimi i klubit do të thotë se ai nuk do të marrë pjesë në garat sportive deri në fund të vitit të ardhshëm.
Qindra fansa të Al Masry, të inatosur me vendimin, morën rrugët e qytetit Port Said të premten mbrëma, për të protestuar përpara selisë së qeverisë. Forcat e sigurisë qëlluan në ajër në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Gazeta zyrtare “Al Ahram” thotë se djali 13-vjeçar vdiq në spital pasi ishte qëlluar në kurriz, ndërkohë që shumë persona të tjerë u plagosën kur ushtria u përpoq t’i pengonte të arrinin Kanalin e Suezit.
Agjencia e lajmeve “Reuters” citon një burim mjekësor që thotë se dy persona të tjerë po mjekohen për plagë të rënda të shkaktuara nga armët e zjarrit. Dhuna e muajit shkurt shpërtheu në stadiumin Al Masry pas një ndeshjeje kundër ekipit të Kairos, Al Ahly.
Top Channel