“Si i mbijetova rrëzimit të avionit?”

24/03/2012 16:00

Një ndodhi e denjë për skenar të filmave hollivudiane. Juliane Koepcke tregon se si i mbijetoi një aksidenti ajror, kur ishte vetëm 17 vjeç.

Bëhet fjalë për aksidentin ajror të ndodhur rreth 40 vjet më parë, pikërisht për Krishtlindjet e vitit 1971 kur Juliane, në atë kohë 17 vjeç bashkë me nënën e saj morën avionin për t’u rikthyer në shtëpi. Por një avari në bord shkaktoi rënien e avionit në xhunglën peruane në Amerikën Latine.

“Ishin Krishtlindje dhe të gjithë mezi prisnin të ktheheshin në shtëpi. Mbaj mend që unë dhe mamaja ime ishim shumë të nxehura sepse avioni u nis me 7 orë vonesë. Pas nisjes mamaja ishte në ankth ndërsa unë isha e qetë sepse më pëlqen udhëtimi me avion”, thotë Koepcke.

Si ndodhi tragjedia? Koepcke, e vetmja e mbijetuar e aksidentit fatal tregon: “Moti ishte shumë i keq, kishte reshje të dendura shiu dhe re. Mbaj mend që disa minuta pas nisjes avioni nisi të tronditej, lëvizte vertikalisht. Në bord shpërtheu paniku mes pasagjerëve. Papritur ra zjarr në kabinën e pilotëve e më pas mamaja më kap dorën e më thotë: Mori fund! Kaq e patëm!. Unë s’reagova, s’mund të flisja në ato momente. Më kujtohet që ktheva kokën majtas dhe pashë motorrin e avionit në flakë i cili më pas u shkëput nga trupi. Një zhurmë e madhe po na vriste veshët. Brenda pak sekondave u vendos një qetësi e madhe. E pashë veten, bashkë me sediljen në rënie të lirë drejt xhunglës që ishte shumë larg. Mbaj mend momentin kur kam rënë mbi degët dhe gjethet e pemëve, ndërsa përplasja s’me kujtohet”, thotë Juliane.

Juliane tregon më tej ditët e kaluar në xhungël, pas përplasjes.

“Kam humbur ndjenjat në momentin e përplasjes për t’u zgjuar ditën tjetër. Kisha marrë disa plagë në trup, ku më e rënda ishte një e çarë në këmbën e djathtë. Megjithatë mundja të ecja. M’u deshën disa minuta të kuptoja ku isha dhe ç’kishte ndodhur. Pasi u kthjellova mendja më shkoi tek mamaja ime dhe nisa të kërkoja për të. Mes mbetjeve të avionit gjeta ushqime dhe pak mjekime me të cilat kalova tre ditë. Para aksidentit kisha jetuar 1 vit e gjysmë në xhungël bashkë me prindërit e mi, dhe kjo më ndihmoi të mbijetoj për 12 ditë me radhë, duke u ushqyer e mjekuar me çfarë ofronte xhungla për 10 ditë, deri kur dëgjova zëra njerëzish. Ata ishin lokalë me të cilët komunikova spanjisht. Më morën, më dhanë për të ngrënë e më mjekuan plagët për të më transportuar më pas në qytetin më të afërt. Më pas ka ardhur im atë, që nuk e besonte që isha ende gjallë, ndërsa në 12 janar 1972 grupet e shpëtimit gjetën trupin e nënës time”, përfundon rrëfimin për BBC, Juliane Koepcker.

Nga hetimet e mëvonshme, rezultoi se avioni u rrëzua për shkak të një avarie në bord, të shkaktuar nga moti i keq.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA