Stankoviç: Me Juven, një ndeshje krenarie

23/03/2012 12:30

Inter dhe Juventusi janë duke përjetuar një sezon diametralisht të kundërt, por Dejan Stankovic është i sigurt që në ndeshjen e së dielës, mund të vijë kthesa e madhe për zikaltërit.

Ndonëse një fitore e Interit do t’i jepte një avantazh të madh në luftën për titull rivalëve të përjetshëm të Milanit, Stankovic thekson se nuk bëhet pjesë e llogarive të skuadrave të tjera.

”Kam një parandienjë të mirë dhe besoj se kjo mund të jetë hera e duhur për t’u rikthyer tek goli dhe fitorja. Juventusi ka më shumë se çfarë të humbë dhe kjo do të bëjë që ata të mos jenë të qetë në fushë. Duhet të fitojnë me çdo kusht. Për më tepër, pas ndeshjes së Kupës së Italisë do të jenë edhe disi të lodhur, por për të arritur një rezultat të mirë, duhet të vrapojmë po aq sa ata”, deklaroi mesfushori serb për “La Gazzetta dello Sport”.

Pavarësisht situatës së vështirë, që sheh Interin jashtë luftës për çdo objektiv, në vendin e shtatë në kampionat, presidenti Moratti i kërkoi Ranierit dhe skuadrës një provë krenarie kundër bardhenjve.

”Ndeshja me Juventusin është më e rëndësishmja nga të gjitha, për mua dhe për ju. Pres prej të gjithë futbollistëve diçka më shumë”, u tha Moratti futbollistëve në një takim pas stërvitjes.

Top Channel