Somali, BE zgjat misionin anti-pirateri

23/03/2012 15:55

Bashkimi Evropian ka rënë dakord të zgjasë misionin e tij kundër piratëve somalezë, duke lejuar forcat ushtarake të sulmojnë objektivat në tokë dhe det.

Me një zgjatje prej 2 vjetësh të misionit, ministrat e Mbrojtjes të BE ranë dakord se anijet luftarake mund të sulmojnë varkat dhe depot e karburanteve në dispozicion të piratëve.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare thonë se lëvizja në fjalë përbën një hap të rëndësishëm në këto operacione, por nga ana tjetër rrezikon të përshkallëzojë situatën.

Anije të shumta të marinës së vendeve të Bashkimit Evropian aktualisht kryejnë patrullime në Bririn e Afrikës. Ata mbikëqyrin rrugët tregtare dhe ndihmat humanitare.

Lufta që zgjat prej dy dekadash ka dëmtuar Somalinë, duke e lënë atë pa qeveri. Qeveria e tranzicionit kontrollon vetëm kryeqytetin Mogadishu, ndërsa militantët e grupit Al Shabab, që së fundmi janë bashkuar me Al Kaedën, kontrollojnë pjesën më të madhe të territorit.

BE thotë se detyrat kryesore të misionit janë mbrojtja e anijeve të Programit Botëror për Ushqimin, që u shpërndajnë ndihma banorëve të shpërngulur të Somalisë, si dhe lufta kundër piraterisë në brigjet somaleze.

“Vendimi i rëndësishëm i marrë sot zgjat mandatin e misionit Atalanta edhe 2 vjet dhe i mundëson atij të ndërmarrë aksione me të forta në brigjet somaleze”, ka deklaruar shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA