Përleshje të reja shpërthyen në mbarë Sirinë një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i bëri thirrje qeverisë dhe kundërshtarëve të zbatojnë planin e paqes së propozuar nga i dërguari i posacëm i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Anan.
Të tilla zhvillime dhe në përgjithësi lajmet për rëndimin e situatës në terren, i shtyjnë ekspertët të mendojnë se shanset për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit, janë të zbehta.
“Regjimi i Bashar Al Asadit mendon se koha është në anën e tij dhe se luftën e ka të fituar”, thotë një njohës i mirë i Sirisë, Joshua Landis.
“Opozita siriane nga ana tjetër, vazhdon ai, ushqen bindjen se qeveria është në fije të perit dhe së Assad mund të rrëzohet nga momenti në moment”.
Vetë kundërshtaret e presidentit janë të përcarë mes tyre. Këshilli Kombëtar sirian, që ka qënë edhe forma më dominuese e lidershipit në radhet e opozitarëve, po përballet me një krizë që sa vjen e thellohet.
Ai arriti ta bindte komunitetin ndërkombëtar të organizohej për izolimin e regjimit, thote Landis, por nuk mundi të përmbushte detyrën e vet më të madhe: të siguronte ndërhyrjen ushtarake të perëndimit në siri, një lëvizje që do të kurorëzonte plotësisht suksesin e tij e do të conte në përmbysjen e Bashar Al Asadit.
Situata për rebelët nuk është më e mire as në terren. Kryengritësit pësuan një humbje të rëndë në Homsin e ripushtuar nga forcat qeveritare e së fundi, iu desh të tërhiqeshin edhe nga Idlib-i.
Njerëzit e Assadit nuk kursejnë askënd. Pas masakrave të civilëve, u raportua edhe për vendosje minash përgjatë vijës kufitare me Turqinë ndërsa njoftimet e fundit tregojnë për të paktën 10 të vrarë nga goditja e një autobuzi me Sirianë që po tentonin t’i largoheshin dhunës duke gjetur strehim në vendin fqinjë.
Grupi që perfshinte dhe gra e femijë, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, u qëllua në qytetin verior të Serminit.
Viktimat e dhunës në mbarë vendin përgjatë një dite të vetme llogaritet në 60. Ky bilanc përfshin edhe ushtarët qeveritarë që humbën jetën në luftime.
Objektivi i ofensivës së fundit ishte Hama, dhe sidomos lagja e saj Arbaeen, vatër e kundërshtarëve të Bashar Al Asadit. Zonat veriore dhe lindore të Hamas janë kthyer në fushëbeteja ndërsa trupat e pajetë të të vrarëve në këtë qytet, po varrosen në një park lokal.
Top Channel