Robert Ndrenika rikthehet në skenë

23/03/2012 16:35

Robert Ndrenika triumfon në Teatrin Kombëtar me Dr. Shuster, në premierën e tij të parë pas mungesës 4-vjeçare në skenë.

Komedia trishtuese e shkruar nga autori serb Dushan Kovacevic vihet në skenë me regji të Spiro Dunit dhe realizohet si një bashkëpunim ndërmjet kompanise së tij teatrale Po dhe Teatrit Kombëtar.

“Është një pjesë ballkanike postkomuniste që të çon në pikëpyetje nëse u bë mirë apo jo kalimi nga sistemi i mëparshëm, me gjithë të këqiat e tij, në sistemin aktual”, është shprehur Robert Ndrenika.

Pjesa pasqyron një të vërtetë e cila vihet re në të gjitha vendet postkomuniste, ku realiteti që sjell krimi përmbyt vlerat dhe ku intelektualët pësojnë zhgënjim.

Një mjek dhe motra e tij pianiste, të cilët tani janë në pension, vuajnë pasojat e kohës ku jetojnë. Ndrenika interpreton rolin e vëllait, i cili është diplomuar në Vjenë dhe ka qenë një kirurg i shkëlqyer dhe tepër i aftë në profesionin e tij. Pas ndryshimit të sistemit ai detyrohet që nga doktor të marrë një profesion të dytë si këpucar, i cili e bën të jetojë një realitet gati imagjinar, i shtyrë nga ndjesia e nostalgjisë dhe mungesa e vlerësimit që meriton.

Kasta e aktorëve, e përbërë gjithashtu nga Flaura Kureta, Artan Imami, Olta Gixhari, Mir Sina etj, sjell për publikun një shfaqje e cila përmes humorit, por edhe trishtimit në momente të caktuara, transmeton një të vërtetë sa të hidhur aq edhe domethënëse të kohës sonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA