Resort madrilen në Emiratet e Bashkuara

23/03/2012 11:40

Reali i Madridit do të hapë një resort luksi në një prej ishujve artificialë në Emiratet e Bashkuara Arabe, projekt që do të përfundojë në vitin 2015.

Ndërtimi i resortit me pesë yje do të kushtojë 750 milionë euro dhe do të përfshirë një stadium futbolli, një port turistik, një hotel me pesë yje, një rrjet vilash luksoze dhe një parking me kate.

Për të prezantuar projektin, në “Santiago Bernabeu” ishin të pranishëm Zidane, Mourinho dhe disa prej futbollistëve të skuadrës, si Casillas, Ramos e Benzema, së bashku presidentin Florentino Perez.

Ishulli ku do të ndërtohet kjo qendër e re e ndikimit madrilen në botë është ndërtuar nga një sheik dhe ka një lidhje me një urë me tokën kryesore. Stadiumi që do të ndërtohet do të ketë një kapacitet prej 10 mijë spektatorësh, ndërsa në brendësi do të jetë një muze i klubit.

Një klinikë, fusha të shumta futbolli dhe basketbolli do të ndërtohen gjithashtu përreth. “Duam të transmetojmë kudo emocionet e asaj që do të thotë të jesh Reali  Madridit. Vizitorët do të kenë mundësinë që të bëhen pjesë e eksperiencës së skuadrës më të mirë në historinë e futbollit. Bëhet fjalë për një investim që do të përjetësojë këtë klub”, deklaroi Perez gjatë prezantimit.

Top Channel