Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Afrikan kanë reaguar ashpër duke dënuar grushtin e shtetit në Mali, ku trupat ushtarake u rebeluan të premten, duke pushtuar institucionet dhe duke hequr presidentin Amadou Toumani Toure nga pushteti.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së bëri thirrje për “rikthimin e menjëhershëm të rendit kushtetues dhe të qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca i adresuan një komunikatë forcave rebele, duke i bërë të qartë se nuk ishte kjo mënyra për të zgjidhur mospërputhjet e tyre me qeverinë.
Banka Botërore dhe Banka e Zhvillimit Afrikan bënë me dije se do të ndërpresin çdo ndihmë ekonomike dhe projekt në zbatim, deri në zgjidhjen e krizës.
Liderat ushtarakë udhëheqës të grushtit të shtetit u shfaqën në televizion duke lajmëruar se kufinjtë e shtetit janë mbyllur. Ata shpallën gjithashtu pezullimin e kushtetutës dhe vendosjen e një gjendje shtetrrethimi mbi vend.
Në komunikimin e tyre të shkurtër, theksohej se presidenti është i sigurt dhe nën mbrojtjen e gardës presidenciale, por asnjë detaj i mëtejshëm nuk u bë i ditur. Një burim i BBC-së e kundërshtoi këtë pretendim, duke thënë se presidenti Toure nuk është nën ruajtjen e forcave rebele. Për momentin, vendndodhja e tij është mister, por disa Ministra dhe funksionarë të lartë janë arrestuar, ndërsa Pallati Presidencial në kryeqytetin Bamako është plaçkitur.
Problematik mbetet ngecja në vend e Ministrit të Jashtëm Kenian dhe një delegacioni, që kishte mbërritur në Mali në një takim dypalësh.
Top Channel