Të indinjuar nga veprimet e Mohamed Merah, muslimanet në Tuluzë i përdorën lutjet e së premtes për të ngritur zërin kundër akteve të tilla të dhunshme, e për të kërkuar njëkohësisht një reagim të vetëpërmbajtur nga politikanët dhe media gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale.
7 vrasjet e 23 vjecarit nuk ishin vepër e një muslimani të denje, thotë një prej tyre, Said Negra.
Said Negra, banor i Tuluzës: “Nuk është musliman ai që ka bërë një gjë të tillë. Nuk mund të jetë. I gjithë komuniteti ynë këtu është i indinjuar nga ajo cfarë ndodhi”.
Në radhët e këtyre njerëzve, ekziston dhe droja se gjatë fushatës elektorale mund të ketë tundime që episodi i Tuluzës të përdoret për përfitime politike.
Mellouki Abdelatif, përfaqësues i komunitetit musliman: “Francezët duhet të qëndrojnë të bashkuar në këto momente. Dua t’i drejtoj një thirrje politikanëve dhe sidomos medias të mos e përdorin këtë ngjarje për të kenaqur interesat e njërit grup apo një tjetri”.
Në bllokun e apartamenteve ku jetonte 23 vjecari Merah, banorët e evakuar gjatë rrethimit kanë nisur të rikthehen në shtëpitë e tyre. Shenjat e plumbave nëpër mure janë mëse të dukshme, e dëmet nga eksplozivet gjithashtu. Disa rrefyen se po mendojnë të ndryshojnë shtëpi.
“Kështu nuk duket ndonjë gjë e madhe, ca xhama të thyer, ca dëmtime, duket sikur më e keqja kaloi. Por ne megjithatë, nuk do të qëndrojmë këtu. Do të lëvizim në ndonjë banesë tjetër”, thotë një banor.
Të dhënat e para nga kqyrja e trupit të 23 vjecarit në morg, tregojnë se përvec kraharorit të mbrojtur nga një jelek antiplumb, e gjithë pjesa tjetër ishte shpuar nga të paktën 20 plumba, përfshirë atë në kokë që i ka marrë jetën.
Kjo për kryeprokurorin Francois Molin dëshmon edhe një herë se vrasja e të riut gjatë shkëmbim-zjarrit me policët, ka qenë një veprim më se legjitim vetëmbrojtjeje.
Top Channel