Nuk ndalet gjakderdhja në Meksikë. Katër kokë të prera janë gjetur brenda një makine të parkuar në një zonë në periferi të Akapulkos, lokaliteti turistik i njohur në brigjet e Paqësorit.
Ndërkohë, në shtetin e Sinaloas, në veri të vendit, janë vrarë nëntë persona. Viktimat, sipas të përditshmes “El Universal”, janë vrarë me breshëri kallashnikovi pasi janë lidhur me pranga dhe janë shtrirë në tokë.
Vetëm tre ditë më parë, persona të armatosur në perëndim të Meksikës vranë 12 policë që ishin duke hetuar vrasjen e 10 njerëzve të tjerë.
Oficerët u sulmuan teksa ishin duke kontrolluar për trupat, që u përkisnin disa kokave që ishin gjetur të prera në afërsi të qytetit Teloloapan, në shtetin Guerrero.
Bashkë me kokat ishin gjetur edhe disa mesazhe kërcënuese që i drejtoheshin kartelit të dorgës “La Familia”. “La Familia” dhe karteli rival “Kalorësit Templarë” janë në luftë për kontrollin e tregtisë së drogës në shtetin Gerrero.
Rreth 4.000 forca të policisë dhe ushtrisë meksikane janë përfshirë në operacionet kundër trafikantëve të drogës në këtë zonë, ku janë të vendosura destinacionet kryesore turistike Akapulco dhe Zihuatanejo.
Megjithatë, situata vazhdon të jetë jashtë kontrollit, pasi rreth 50 mijë persona janë vrarë nga lufta e drogës në Meksikë që nga viti 2006.
Gjithashtu, dhuna e grupeve kriminale nuk rresht as me arrestimet e anëtarëve të tyre, pasi ajo vazhdon në ambjentet e burgjeve. Në një mision rutinë të transferimit të të burgosurve, të kryer në fillim të muajit, autoritetet zbuluan një arsenal të vërtetë armësh brenda godinës së burgut të lokalitetit të Huarezit.
Ndërsa në shkurt, sekretarja amerikane për Sigurinë e Brendshme, Janet Napolitano mbrojti politikën e Uashingtonit në luftën kundër drogës dhe luftës që bëhet për të në Amerikën Latine.
Top Channel