Kina do të ndërpresë praktikën e marrjes së organeve nga të burgosurit e ekzekutuar brenda pesë vitesh, bëri të ditur një agjensi zyrtare.
Zyrtarët e vendit komunist informuan se do të bazohen tashmë në një sistem të ri të dhurimit vullnetar të organeve. Aktualisht, organet e të ekzekutuarve përdoren në 2/3 e transplanteve në vend.
Sipas grupimeve të të drejtave të njeriut, të burgosurve me vdekje i ushtrohet presion që të pranojnë dhurimin e organeve të tyre, në këmbim të një trajtimi më të mirë në muajt e fundit të jetës, por Kina i përgënjeshtron këto pretendime.
Huang Jiefu, Zvs/Ministër i Shëndetësisë, deklaroi për agjensinë “Xinhua” se një program pilot për dhurimin e organeve është duke u testuar me sukses në disa zona të tjera të vendit.
“Është synimi i autoriteteve që të ndërpresë praktikën e shfrytëzimit të organeve prej të burgosurve me vdekje”, deklaroi Jiefu.
Të dhënat zyrtare tregojnë se 1,5 milionë persona kanë nevojë për transplant në Kinë, por vetëm 10 mijë operacione të tilla kryhen në vit.
Top Channel