Të paktën 17 të burgosur u arratisën nga dhomat e tyre të izolimit në një institucion të vuajtjes së dënimit në qytetin iraken të Kirkukut.
Midis të arratisurve përfshihen edhe antarë të al-Kaedës dhe luftëtarë të një grupi salafist ta akuzuar për sulme ndaj trupave amerikane dhe atyre irakene.
Të burgosurit shfrytëzuan një litar të realizuar nga lidhja e çarçafëve, për t’u arratisur gjatë natës nga një dritare e vogël që kishin krijuar në një qeli.
Një politikan vendor fajësoi gardianët e burgut për një neglizhencë të pafalshme në detyrë. Forcat e sigurisë së Irakut janë vendosur në kërkim të personave, por vetëm njëri prej tyre është rikapur.
Për momentin, është i paqartë roli që kanë patur gardianët e burgut në këtë ngjarje, pasi të dhënat e mediave vendase janë të përçarë në këtë drejtim. Një gazetë e Kirkukut informonte se rojet ishin droguar me një qetësues të fortë, ndërsa një media kombëtare i cilësoi palë dhe të paguar nga militantët.
Ngjarja vjen në një moment me të vërtetë delikat për Irakun dhe veçanërisht qytetin e Kirkukut, ku në dy sulme kamikaze, të paktën 38 persona humbën jetën gjatë javës.
Top Channel