Gruaja e Assad, “non grata” në BE

23/03/2012 08:45

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për të shpallur “non grata” gruan e Bashar al-Assad, çka do të shoqërohet me një sërë sanksionesh ndaj saj, që përfshijnë bllokim asetesh dhe ndalim udhëtimi në vendet perëndimore.

Lajmin e konfirmuan të premten për “BBC” burime “të sigurta” diplomatike. Asma al-Assad, e lindur si shtetase britanike, figuron midis 12 emrave të rinj të funksionarëve sirianë të shtuar në listën “non grata” të kryesuar nga presidenti Bashar.

Është ende e paqartë nëse sanksionet do të ndalojnë 36-vjeçaren që të udhëtojë edhe në Britani, pavarësisht pasaportës britanike që zotëron.

Sanksionet ndaj Zonjës së Parë të Sirisë vijnë pas akuzave të përsëritura të grupeve të opozitës se Asma al-Assad është njësoj përgjegjëse për masakrat që po ndodhin nëpër vend. Disa grupimeve opozitare shkojnë deri atje sa të pretendojnë se në fakt, është ajo “arkitektja” e vërtetë e sulmeve të përsëritura mbi qytete dhe civilë.

Në javët e fundit, Damasku ka lëshuar një aksion të gjerë për të shtypur protestat në vend, duke sulmuar njëkohësisht disa qytete. Si rrjedhojë, në mënyrë të përditshme regjistrohen disa dhjetëra të vdekur nga të dyja anët.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje regjimit të al-Assad që të pranojë një plan paqeje i mbështetur këtë herë edhe nga Rusia dhe Kina, vende që kanë vendosur dy herë veton kundër rezolutave të mëparshme të vendeve perëndimore në Këshillin e Sigurimit, me argumentin se nuk jepej garanci për respektimin e integritetit territorial të Sirisë.

Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mbi 8 mijë persona kanë humbur jetën në një vit konflikt sirian, por vlerësime të tjera e ngrenë numrin e viktimave deri në 15 mijë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA