
Drama e Tuluzës shtyu presidentin francez Nicolas Sarkozy të paraqesë një projekt-ligj të ri mbi masat e luftës anti-terror, ndërsa kreu i ekzekutivit Francois Fillon propozoi që adoptimi të bëhet sa më shpejt, mundësisht përpara zgjedhjeve presidenciale nëse do të mund të arrihet konsensusi politik.
Kryeministri la të kuptohej se drafti i ligjit mund t`i paraqitet Këshillit të Ministrave brenda disa ditësh dhe në rast se gjendet kompromisi në Asamblenë Kombëtare e Senat do të hidhet në votë përpara zgjedhjeve për shefin e Elizesë.
Por socialistët, që kontrollojnë Senatin preferojnë të presin të mandatuarin e ri si president dhe meqenëse kanë votat e mjaftueshme për ta bllokuar këtë nismë, edhe mund t’i përdorin dhe ta vonojnë shqyrtimin e tekstit pas zgjedhjeve.
Më shumë se sa sfondi i propozimit, të majtën e shqetëson ajo që e sheh si përpjekje të qeverisë për të instrumentalizuar cështjen. Në fakt, episodi i Tuluzës, mënyra se si u menaxhua situata e krijuar atje dhe shpejtësia me të cilën u identifikua e agresori e u kalua në veprim, i kanë shtuar pikë Sarkozy.
Sondazhet e fundit të opinionit e vendosin atë në krye, duke parashikuar madje edhe një fitore me 30 përqind në raundin e parë kundrejt rivalit kryesor, Francois Hollande. Imazhi i luftëtarit të paepur të krimit, që Sarkozy shfaqi gjatë krizës, ka forcuar akoma më shumë edhe avantazhin e tij ndaj kandidates së Frontit Kombëtar, Marine le Pen.
Sic komenton “Le Monde”, situata këtë javë ndryshoi edhe në rrafsh politik, duke i lejuar Sarkozy, së akuzuar më herët për flirtim me ekstremin e djathtë me qëllimin të rrëmbente ca vota nga Le Pen, të ripozicionohej pa qenë nevoja të ndryshonte qendrimin e vet politik.
Në momentin e lajmit shokues të vrasjes së fëmijëve në Tuluzë, presidenti francez, i ndjekur edhe nga Hollande dhe shumica e 10 kandidatëve të tjerë në garë, ndërprenë fushatën elektorale e i bënë homazhet e tyre viktimave të Mohamed Merah.
Vrasesi nuk rezultoi një ekstremist i djathtë, sic u dyshua fillimisht, por një islamik i lindur në Francë nga nënë algjeriane. Në situata të tilla, një frymë uniteti kombëtar fillon të mbizotërojë në radhët e publikut francez, shkruan gazeta, dhe për Sarkozy, s`kish si bëhej më mirë.
71 përqind e francezëve mendojnë se ai e menaxhoi krizën shumë mirë dhe i njëjti anketim i dha votëbesimin e të intervistuarve, 76 përqind e të cilëve deklaruan se komuniteti nuk duhet stigmatizuar për veprimet e një personi të vetëm, çka perceptohet si refuzim i politikave të Le Penit.
Top Channel