Portugalia paralizohet nga greva e përgjithshme

22/03/2012 18:40

Punëtorët e sektorit publik në Portugali kanë shpallur një grevë të përgjithshme ndaj masave shtrënguese të qeverisë.

Shkollat ndërprenë mësimin ditën e enjte pasi mësuesit braktisën ambientet, spitalet punuan me staf të reduktuar dhe shërbimet e transportit pothuajse u paralizuan.

Greva u shpall nga sindikata më e madhe në Portugali, “Konfederata e Përgjithshme e Punëtorëve Portugezë”, të cilët kundërshtojnë planet e qeverisë për shkurtime të vendeve të punës në administratë dhe rritje e taksave, si pjesë e një pakete të detyrueshme për të siguruar një kredi nga FMN dhe Bashkimi Europian.

Disa mijëra punëtorë marshuan në qendër të Lisbonës, duke u stacionuar përpara godinave qeveritare të mbrojtura nga trupa të shumta policore. Me sindikatat u bashkuan edhe disa lëvizje rinore.

Kjo është greva e dytë e përgjithshme në Portugali në katër muaj dhe vjen si rezultat i planeve të Lisbonës zyrtare për shkurtimin e borxhit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Paketa parashikon edhe marrjen e një kredie prej 78 miliardë eurosh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA