Palestinë, shteti rrezikon falimentimin

22/03/2012 15:55

Autoritetet palestineze kanë nevojë për një financim të menjëhershëm ndërkombëtar, ndryshe do të jenë virtualisht të falimentuar dhe nuk do të mund të kryejnë rolin e tyre në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.

Ky është përfundimi i një takimi midis një grupi donatorësh për Palestinën dhe delegacionit të shtetit të panjohur ndërkombëtarisht, brenda territorit të Izraelit të sotëm.

”Palestina ka nevojë për një buxhet prej një miliardë dollarësh, ndryshe shteti nuk do të jetë në gjendje që të përmbushë kërkesat bazë dhe t’i ofrojë shërbime popullsisë”, vlerësohej në dokumentin e dalë nga konferenca e realizuar në Bruksel.

Konflikti i vazhdueshëm me Izraelin, mungesa e strukturave të forta shtetërore dhe varfësia ekstreme e shumë palestinezëve e bëjnë pothuajse të paefektshëm sistemin e mbledhjes së taksave.

Aktualisht, Palestina njihet si shtet sovran dhe i pavarur nga shumica dërmuese e vendeve aziatike, afrikane dhe amerikanojugore, përfshi edhe dy superfuqitë me të drejtë vetoje, Federata Ruse dhe Kina.

Megjithatë, tre shtetet e tjera me të drejtë veto, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania e Madhe, një shumicë vendesh Europiane dhe Izraeli nuk e njohin deklaratën e pavarësisë së vitit 1988.

Shqipëria e ka njohur Palestinën si shtet menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, në kohën e regjimit komunist dhe aktualisht një përfaqësi palestineze ndodhet në Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA