Ministria e Drejtësisë në Kinë ka deklaruar se avokatëve do t’u kërkohet që të betohen për besnikëri ndaj Partisë Komuniste në pushtet, për herë të parë në historinë e vendit.
Të gjithë avokatëve që do t’u rinovohet liçensa për të ushtruar profesionin do t’u duhet të bëtohen për besnikëri ndaj vendit dhe lidershipit të partisë.
Kritikët e shohin këtë lëvizje si mungesë të bazave ligjore dhe tepër të papërshtatshme. “Betimi ishte i nevojshëm për të ngritur më lart standartet politike, profesionale dhe morale të avokatëve”, ka deklaruar Ministria e Drejtësisë.
Ajo gjithashtu ka emëruar institucionet që do të organizojnë ceremonitë e betimit dhe ka saktësuar se avokatët duhet ta bëjnë atë brenda tre muajsh nga data e marrjes së liçensës.
Kërkesa e re e partisë në pushtet vjen në një kohë tranzicioni politik të ndjeshëm, me Partinë Komuniste që po bëhet gati për transferimin e lidershipit, veprim që kryhet njëherë në dekadë dhe i bie të bëhet këtë vit.
Në vitet e fundit, autoritetet kineze kanë rritur presionin ndaj avokatëve që merren me çështje të rëndësishme politike. Vitin e kaluar, autoritetet pezulluan ose u tërhoqën liçensën disa avokatëve, me qëllim shmangien e mbrojtjes që ata mund t’u bënin kritikëve të qeverisë.
Disa avokatë, si për shembull disidenti i profilit të lartë Gao Zhisheng dhe aktivisti Chen Guangcheng, u burgosën në fshehtësi ose u dënuan me arrest shtëpie.
Top Channel