Ish-shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn nuk është lejuar të shkelë në Parlamentin Evropian.
“BE40”, një rrjet europarlamentarësh të rinj, parashikonte organizimin e një debati në formën e një talk-show mbi krizën financiare, mes ish-presidentit të Bankës Qëndrore Evropiane, Jean-Claude Trichet, kryeministrit të Luksemburgut, njëkohësisht kryetar i Eurogrupit, Jean-Claude Junker, dhe tashmë të famshmit për skandalet e tij seksuale dhe korruptive, ish-shefit të FMN-së, Dominique Strauss-Kahn.
E para që reagoi ishte eurodeputetja e djathtë Esther Herranz Garcia, e cila dha menjëherë dorëheqjen nga grupimi “BE40” me arsyetimin se, “nuk pranon sjellje që mund të perceptohen si degraduese ndaj grave”.
Në të njëjtën kohë, socialistet Zita Gurmai dhe Veronique de Keyser, si edhe Isabelle Durand nga të gjelbërit, i dërguan një letër të përbashkët proteste presidentit Martin Schulz.
“Na llahtarisi dhe na xhindosi ftesa për Dominique Strauss-Kahn në Parlamentin Evropian, më 27 mars. Në emër të luftës sonë për dinjitetin e grave, ne e kundërshtojmë këtë ftesë dhe ju kërkojmë, Zoti President, që të kujdeseni që Parlamenti të mbetet një vend legjislativ pune, ku respektohen ndjeshmëritë e secilit, dhe jo një arenë mediatike për shfaqje e spektakle të bazuara në skandale. Ne e respektojmë prezumimin e pafajësisë, të drejtën e lirisë së shprehjes, si dhe refuzojmë ç‘do ndërhyrje moraliste në jetën private të gjithësecilit. Por pas skandaleve publike dhe duke parë qëndrimin që ka mbajtur Strauss-Kahn në lidhje me çështjet që përballet, kjo ftesë është qartësisht e turpshme”, denoncuan europarlamentaret.
Por nuk janë vetëm femrat ato që janë mobilizuar. Derk Jan Eppink, nga grupimi i konservatorëve dhe reformistëve, i kërkoi presidentit Schulz që debati të zhvendoset nga salla e seancave plenare, ku është parashikuar, jashtë ambienteve të Parlamentit Evropian, pasi Dominique Strauss-Kahn është nën hetim dhe prokuria pritet të formulojë akuzën vetëm një ditë pas debatit të 27 marsit.
Këto reagime dhe presionet nga vetë presidenti Schulz, bënë që i ftuari të anullojë pjesmarrjen, ndërsa emri i tij u fshi edhe nga faqja e internetit e “BE40”, organizatorëve të këtij debati.
Top Channel