Rezoluta për paqen, SHBA paralajmëron Sirinë

21/03/2012 21:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan Sirinë për pasoja të rënda, nëse nuk do të bashkëpunojnë në një plan paqeje të mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, i kërkoi presidentit Bashar al-Assad që të “ndjekë rrugën e duhur, të përkushtohet në një plan që do të rikthejë paqen në vend ose të përballet me presion të shtuar dhe izolim total”.

Plani, i cili është hartuar nga i dërguari i OKB-së në Siri, Kofi Annan ka gjetur mbështetje në Këshillin e Sigurimit, edhe nga Rusia dhe Kina, të cilat kanë bllokuar dy rezoluta të mëparshme me argumentin e ndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti sovran dhe të mosdhënies së garancive të mjaftueshme për mos cënimin e intregitetit territorial.

Nisma e re e OKB-së për të zgjidhur situatën vjen në një ditë kur trupat qeveritare bombarduan dy lagje të kryeqytetit Damask, pas një provokimi të mëparshëm të rebelëve.

Në mënyrë që plani i paqes të mbështetej edhe nga Moska e Pekini, prej tij u hoqën klauzola që kërkonin largimin nga pushteti të al-Assad dhe tërheqjen e ushtrisë së tij nga qëndrat e banuara. Në këmbim, janë përfshirë klauzola që flasin për tërheqje të të gjitha forcave ushtarake dhe për lejimin e mbërritjes së ndihmave humanitare në zonat e luftimeve.

Kritikët e marrëveshjes shprehen se ndonëse plani për paqen përbën një hap përpara në zgjidhjen e krizës, gjuha nuk është mjaftueshmërisht e ashpër dhe se pasojat me të cilat mund të përballet regjimi i Assad janë ende të paqarta.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, më shumë se 8 mijë persona kanë humbur jetën në konflikt, por shifra reale e viktimave mund të jetë edhe dy herë më e lartë, thonë burime të opozitës siriane në emigracion.

Top Channel