Itali, shpallet grevë e përgjithshme

21/03/2012 21:30

Sindikata më e madhe në Itali, “CGIL”, lajmëroi se do të mbajë një grevë të përgjithshme, data e së cilës ende nuk është caktuar, për të kundërshtuar planet e qeverisë për ndryshimin e ligjit të punësimit.

Pas disa javësh bisedimesh, kryeministri Mario Monti i la kohë sindikatave deri të dielën, për të pranuar planin, i cili do të votohet në parlament edhe pa patur miratimin e tyre.

Qeveria teknike që drejton Italinë kërkon të heqë disa mbrojtje ligjore kundër shkarkimit nga puna, në mënyrë që të reduktojë favoret e punonjësve të vjetër, për të favorizuar punësimin midis të rinjve.

Sipas Montit, një nismë e tillë do të lejojë njëkohësisht koorporatat e mëdha që të jenë më fleksibël në treg, duke rritur kështu aftësitë e tyre konkurruese. Reformat do të ofrojnë shpërblime me lehtësira fiskale dhe subvencione për të gjithë ata që do të marrin punonjës të rinj në punë.

Megjithatë, sindikatat janë kundër ndryshimeve, duke theksuar se të drejtat e fituara nga punonjësit janë të merituara dhe se rritja ekonomike nuk do të stimulohet duke i dhënë më shumë dorë të lirë pronarëve për të bërë si të duan.

“Jemi të gatshëm për gjithçka për të mbrojtur të drejtat tona”, deklaroi Maurizio Landini, drejtuesi i CGIL-it.

Pavarësisht kundërshtimit të ashpër të sindikatave, Roma zyrtare ka marrë mbështetjen e Brukselit, për të zbatuar reformat, pjesë e paketës së qeverisë teknike për reduktimin e borxhit kombëtar dhe rikthimin e rritjes ekonomike.

Top Channel