Bedri Alimehmeti: Nuk e braktis Tiranën

20/03/2012 19:15

Ai është 400 vjet tiranas! U bënë plot 12 breza që nga themelimi i kryeqytetit të Shqipërisë dhe që prej asaj kohe familjarët e tij kanë banuar në rrugën e Barrikadave për tu zhvendosur më vonë në zona të tjera. Megjithatë ai kurrë nuk u largua në periferi apo jashtë Tiranës.

Bedri Alimehmeti, një nga pinjollët e familjes së Alimehmetëve thotë se për asnjë arsye nuk do ta braktiste Tiranën, madje kjo gjë as nuk i ka shkuar në mendje.

“Të gjithë kërkojnë qetësi dhe kërkojnë rehatinë e tyre duke u larguar jashtë Tiranës, por unë dhe familja ime jemi një nga familjet më të vjetra. Me Tiranën na lidh një fill i padukshëm që na ka lidhur në një lidhje të përjetshme dhe të pazgjidhshme, përpos kësaj ketu kemi edhe origjinën e të parëve tanë”, shprehet Bedri Alimehmeti.

Ka vite që është larguar nga banesa e vjetër ku ka lindur dhe që është ndërtuar nga gjyshi i tij. Por ai i thotë vetes tirans me rrënjë e me degë dhe preket kur në rrugë dëgjon shprehje si: Jom tirons lale! Jam me origjinë nga Tirona se edhe prindërit e mi kanë lindur këtu!

Shumë njerëz që vijnë nga periferia për të jetuar në Tiranë, menjëherë e quajnë veten nga Tirana. Por sa vite duhen për t’u quajtur kryeqytetas?

“Ne ndiejmë dhimbje në këtë aspekt. Ka njerëz që investojnë dhe i shërbejnë kryeqytetin, por ka të tjerë që e dëmtojnë dhe e shpërdorojnë. Ata duhet t’i jenë faleminderit Tiranës edhe vetëm për faktin që i jep emrin kryeqytetas!”

Megjithatë pluhuri dhe zhurmat nuk e pengojnë aspak që ta dojë vendlindjen e tij. Thotë se tashmë është mësuar me gjithë këtë rrëmujë. Të largohesh nga Tirana për të nuk ia vlen! Nëse do, qetësinë e gjen edhe këtu!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA