Shenja përmirësimi për Muambën

19/03/2012 21:35

Fabrice Muamba, futbollisti i Boltonit që pësoi një infarkt në fushën e lojës të shtunën, mbetet në gjendje të rëndë, por situata e tij po përmirësohet.

Burimet spitalore konfirmuan të martën se 23-vjeçari me origjinë kongoleze arrin të lëvizë gjymtyrët, ndërsa ka arritur të njohë familjen. Gjithashtu, zemra e tij arrin të punojë pa ndihëm e aparaturave.

Pasi pësoi infarktin në minutën e 42’ të ndeshjes së Kupës së Anglisë ndaj Totenhamit, Muamba mbeti për disa minuta pa puls dhe u rikthye në jetë nga goditjet elektrike në gjoks.

Mjekët i frikësoheshin dëmtimeve të parikthyeshme në tru, por fakti që lojtari arrin të njohë të afërmit është një lajm shumë i mirë. Megjithatë, nëse funksione të ndryshme të trurit janë prekur, kjo do të konfirmohet vetëm pas disa ditësh.

Në një komunikatë të publikuar nga klubi i Boltonit, thuhej se “Fabrice është duke treguar shenja të vazhdueshme përmirësimi. Megjithatë, gjendja e tij mbetet serioze dhe vazhdon të mbetet në monotorim”.

Top Channel