Robben: Java më e mirë e karrierës

19/03/2012 14:45

Arjen Robben ka luajtur me ekipe të mëdha europiane si Real Madrid apo Chelsea dhe që nga viti 2009 vesh fanellën e Bayern Munchen.

Edhe pse është një lojtar me shumë vite karrierë mbi supe, ajo që i ka ndodhur në 7 ditët e fundit ka qenë e jashtëzakonshme. Bayern ka shënuar 20 gola ndaj Hoffenhaim, Bazel dhe Hertha Berlin të marra së bashku, ndërsa vetë Robben ka shënuar plot 7 gola.

Në një intervistë për faqen zyrtare të Bayern Munchen, sulmuesi hollandez theksoi: “Kurrë nuk kam kaluar një javë të tillë!”

Robben beson se shpërthimi i ekipit të tij ka ardhur në momentin e duhur: “Kemi bërë kthesën dhe jemi ende në kohë për të fituar titullin kampion në Bundesligë. Nuk është në dorën tonë (Borussia Dortmund është në krye me 5 pikë më shumë), por nëse luajmë kështu dhe fitojmë në Dortmund kemi shanse të mëdha.”

Në lidhje me çerekfinalet e Ligës së Kampioneve 28-vjeçari u shpreh: “Të gjithë flasim për gjysmëfinalen, por duhet të kemi kujdes nga Marseja. Janë një skuadër e fortë fizikisht dhe Deschamps është trajner i zoti.”

Top Channel