Restaurim shtëpisë së Ndre Mjedës

19/03/2012 00:00

Në shtëpinë muze të  poetit të madh, Ndre Mjeda që ndodhet në fshatin Kukël të Shkodrës, prej disa javësh po kryhen restaurime të banesës dhe Kishës ku ka jetuar Mjeda.

Objektet janë ndërtuar që në vitin 1913 nga vetë Ndre Mjeda me ndihmën financiare të qeverisë austro-hungareze.

Ky restaurim po kryhet nga donatorë vullnetarë dhe Ministria e Kulturës nuk ka dhënë asnjë fond për këtë objekt me vlerë të madhe për historinë e Shqipërisë.

“Deri më tani nuk kemi patur ndihmë financiare nga qeveria. Kemi bërë kërkesën për ndihmë financiare për restaurimin e këtyre ndërtesave, për të përfunduar fazën e dytë të restaurimit. Ne në muajin gusht duam të përfundojmë për të kremtuar 75-vjetorin e Mjedës. Deri më tani ka heshtje, fondet janë të pakta dhe me sa duket nuk do të ketë, kurse nga ana tjetër shohim që fondet shkojnë për koncerte të ndryshime për aktivitete kulturore për 100-vjetorin”, thotë Dom Nik Ukgjini.

Për vlerat arkitekturore dhe rëndësinë e Kishës dhe shtëpisë së Mjedës, arkitektët japin një vlerësim që e klasifikojnë këtë banesë të stilit neoklasik.

“Është kryer një fazë e restaurimit të fasadës së çatisë dhe rikthimit në identitet të fasadës së saj. Tashmë po bëhet restaurimi i territorit ku kanë dalë disa rrënoja ku duken bazamentet e mureve rrethuese, mure me vlera, mure me gur të gdhendur. Njëkohësisht po bëjmë një projekt të ri për sistemimin e territorit për të qenë në harmoni me objektin ekzistues”, deklaron arkitekti, Zef Çuni.

Ndërkohë restaurimi i banesës dhe Kishës ku ka jetuar Mjeda ka qenë tepër i domosdoshëm pasi këto objekte ishin drejt shkatërrimit për shkak të peshës së viteve mbi supe dhe indiferencës së të gjitha  institucioneve  përgjegjëse. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB