Njësitë policore të anti-terrorit në Indonezi kanë qëlluar për vdekje pesë persona të dyshuar se po planifikonin grabitje me qëllim financimin e sulmeve terroriste në ishullin e Balit.
Autoritetet lokale deklaruan se agjentët e policisë gjetën armë dhe municione tek personat e vrarë, gjë që sipas tyre sugjeron se ata i kishin zgjedhur shënjestrat dhe se ishin duke hyrë në aksion.
Sipas burimeve, personat e vrarë donin të përdornin paratë e siguruara nga vjedhjet për të blerë eksploziv, për ta përdorur më pas në sulmet e tyre.
Policia indoneziane tha për BBC se pesë personat kishin qenë nën mbikëqyrjen e policisë për të paktën një muaj dhe se ishin përgatitur të vidhnin pika këmbimi valutor dhe dyqane bizhuterish në Bali.
“Është e qartë se ajo që po bënin ata ishte një mbledhje fondesh për xhihadin. Ata nuk zotërojnë eksploziv dhe për rrjedhojë iu duheshin para për ta siguruar”, ka deklaruar një zëdhënës policie.
Gjithësesi, burimet policore nuk kanë konfirmuar nëse pesë personat e vrarë ishin të lidhur me organizatën terroriste Jemaah Anshorut Tauhid, por nga hetimet ka rezultuar se një prej tyre kishte kryer grabitje edhe më parë.
Top Channel