Nëntë mijë nazistë të përfshirë në krime lufte gjetën strehë në Amerikën e Jugut pas Luftës së Dytë Botërore, tregojnë dokumente sekrete të publikuara rishtas.
Në kuadrin e rihapjes së disa proceseve ndaj atyre pak ish-oficerëve ende në jetë, prokurorët gjermanë kërkuan akses në arkivat shtetërore të Brazilit dhe Kilit, duke zbuluar se fenomeni i “emigrimit të madh nazist” ishte shumë i më madh nga sa besohej më parë.
Sipas të dhënave, më shumë se 9 mijë kriminelë lufte i shpëtuan ndjekjes ligjore duke u strehuar në vendet latine dhe midis tyre përfshiheshin edhe kroatë, ukrainas, rusë apo shtetas të vendeve perëndimore që u bënë pjesë e makinës naziste të vrasjeve.
Vlerësimet thonë se 5 mijë nazistë u shpërngulën në Argjentinë. Rreth 1 500-2 000 në Brazil, rreth një mijë në Kili dhe pjesa tjetër në Paraguaj dhe Uruguaj. Në këto shifra nuk përshihen qindra të tjerë që u larguan në vendet me regjime të djathtë të Lindjes së Mesme.
Më parë, besohej se vetëm pak mijëra arritën të shpëtonin duke emigruar. Një shpërngulje e tillë masive u mundësua me bashkëpunimin e autoriteteve vendase.
Ish-presidenti i Argjentinës, Juan Peron, i shiti 10 mijë pasaporta argjentinase rrjetit ODESSA, një organizatë e ngarkuar me mbrojtjen e esesëve dhe oficerëve të tjerë të lartë nazistë.
Midis funksionarëve më të lartë nazistë që shpëtuan ishte arkitekti i Holokaustit, Adolf Eichman, i cili u rrëmbye në vitin 1962 nga shtëpia e tij në Buenos Aires nga një komandë e përbërë nga agjentë të Shërbimeve Sekrete Izraelite (Mossad).
Më pas, ai u shpall fajtor për vrasjen e qindra mijëra hebrenjve dhe u ekzekutua me varje në Tel Aviv. Të tjerë funksionarë të lartë që nuk u kapën kurrë ishin Josef Mengele, mjeku që kreu eksperimentet çnjerëzore mbi mijëra të burgosur në Aushvic apo Franz Stangl, njeriu që drejtoi kampin e vdekjes së Treblinkës, u mbytën në gaz qindra mijëra hebrenj dhe të burgosur të tjerë lufte.
Top Channel