Në cilën Europë?

18/03/2012 00:00

Fatos Baxhaku – Shqipëria nuk na qenkësh as më shumë e as më pak, se sa vetë zemra e Europës, madje jo vetëm tani, por edhe historikisht.

Kështu është shprehur vetëm pak ditë më parë njëra prej figurave tona më të rëndësishme politike. Që ne jemi një komb europian, kjo është afërmendsh. Që gjeografikisht jemi një nga pikat më të afërta mes Perëndimit dhe Lindjes së saj, edhe kjo është afërmendsh, por që ne të jemi vetë zemra e saj, kjo na duket paksa e tepruar, njësoj si ato historitë me pellazgët që flisnin gjuhën e sotme shqipe. Andaj kjo shprehje, e thënë me sa duket në një kontekst të caktuar të debatit politik e mediatik, mbase nuk ka nevojë të diskutohet e as të hidhet poshtë. Porse nga kjo shprehje, që në vetvete ngërthen një qëndrim të caktuar, jo vetëm të figurës politike që e artikuloi, por njëherazi edhe të njerëzve rreth e rrotull, të lind një pyetje e vetme: Në cilën Europë duam të shkojmë?

Europa si përrallë gjeografike

Ja ku jemi edhe një herë te fjalët që shprehin qëndrime të caktuara. Më rëndom ne përdorim fjalën “shkojmë”, kur kemi parasysh Europën ende të paarritur. Thellë-thellë na duket sikur do të marrim plaçka e katandi dhe do t’i hyjmë një rruge jo fort të gjatë (mjafton të kalojmë kanalin e Otrantos) dhe ja ku u zgjidhën hallet tona shekullore. “Të shkosh” do me thënë të zhvendosesh në kohë apo në hapësirë. Ne, shumë rrallë përdorim terma të tjerë si “të bëhemi”, “të ndryshojmë”, imagjinoni pak “të europianizohemi”. Për shumë prej nesh, për fat të keq edhe të atyre që kemi mbi krye, Europa është një vend ku duhet shkuar, kështu që kur të kthehesh të kesh se çfarë t’u tregosh të tjerëve në netët e gjata të dimrit shqiptar. Kjo që po shkruajmë nuk është aspak një shaka e hidhur. Është një gozhdë që ka mbetur në trutë tanë që nga kohët kur thoshim “isha andej e pashë kështu e ashtu”, “andej nuk e zgjidhnin kështu bre byrazer!”, “andej ishte një parajsë e vërtetë”… Nuk është se kanë kaluar shumë kohë, në nëntor bëhen vetëm 100 vjet, shumë pak, një pikë uji në historinë e një kombi. Pastaj erdhi koha e izolacionit komunist, kur Europa nuk cilësohej më me emrin e saj, por me termin “Perëndimi”. Kjo, sepse një pjesë e saj, Lindja, deri në 1989 ishte ende nën ombrellën socialiste të Moskës. Në këtë rast Perëndimi, pra Europa, sipas koncepteve të sotme ishte ajo që ofronte RAI, nëse arrije ta shihje. Këtë herë të shkoje në Europë do të thoshte thjeshtësisht të zhvendoseshe gjeografikisht, të kalojë telin me gjemba dhe të linje vatanin që e kishe dashur, por që nuk të kishte dashur kurrë.

Europa si “kurvë e motit”

Një nga poetët tanë më të mëdhenj, Atë Gjergj Fishta, të paktën deri në 1940, kur u bë anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, nuk kishte ndonjë mendim të mirë për Europën. Në “Lahutën e Malcisë” ai e quan atë “kurvë e motit”. Mbase kishte të drejtë. Europa, “Fuqitë e Mëdha”, quheshin asokohe, ka në shpinën e kujtesës së saj historike padrejtësinë e madhe që iu bë shqiptarëve në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX. Kjo padrejtësi e ka emrin copëtim. Një telash i madh, me të cilin “kurva e sotme e motit” po merret ende sot e kësaj dite. Nuk ishte vetëm Fishta që mendonte se padrejtësitë në kurriz të shqiptarëve kishin ardhur nga Europa, kishte edhe plot burra të tjerë të shquar. Pak nga pak mendimi se fajin na e kanë vetëm të tjerët dhe asnjë pjesë ne, u bë krejt popullor, aq sa arritëm në atë aktin e turpshëm për të cilin ende shumë shqiptarë me mend në kokë skuqen: në vitin e mbrapshtë 1914, kur fare haptazi shumë prej nesh e refuzuan drejtimin europian të Princ Vidit duke thirrur me sa kishin në kokë: Dum Babën! Dum Babën! “Baba” dihej se kush ishte. Le të mos e bëjmë edhe Abdyl Hamitin europian të thekur. Do të ishte tepër.

Nga ideja se Europa vendos gjithçka si për mirë, ashtu edhe për keq, klasa politike shqiptare e vjetër u mundua t’i zhvatë ndonjë metelik “kurvës së motit”. Jo vetëm Zogu, por edhe opozita ndaj tij, morën pagesa të rregullta nga Moska e Stalinit, nga Roma e Musolinit dhe nga Beogradi i Pashiçit (Shihni për këtë një libër fort të rëndë, por tejet interesant: Xhelal Staravecka; Përballë gjyqit të historisë; “Naim”, Tiranë 2012). Meqë sot është e diel, na lejohet të bëjmë edhe ndonjë shaka. Ja pra që edhe “kurvat”, sado të moshuara të jenë, u dashkan nganjëherë në jetë.

Europa si lopë për t’u mjelë

Nëse pyet cilindo nga shqiptarët e thjeshtë, përveç injorantëve të ndershëm që do të ngrenë supet në shenjë padije të pafuqishme, se përse është pozitive për ta që të hyjmë në BE, atëherë përgjigjja më e përhapur do të jetë: Kështu do të marrim para! Nuk kanë faj, aspak. Deri më tani aplikimi për në mekanizmat e BE, madje edhe i gjithë raporti me të ka qenë një monopol i politikës, njësoj sikurse hyrja në NATO. Politikanët dhe vetëm ata e dinë se përse afrimi me BE është një arritje e madhe. Është e madhe vërtet, por nuk është e madhe për shqiptarin e thjeshtë e të hutuar, i cili këto hapa i sheh si shpresë për të gjetur një punë për djalin, një shpresë më shumë për ujin, dritat dhe rrugën e fshatit. Është krijuar ideja sikur me t’u pranuar në BE të gjithë ne do të kemi nga një thithkë të caktuar të lopës Europë, nga e cila do të marrim qumësht me bollëk. Lodhja e vetme që do të kemi do të jenë buzët tona të lodhura të mbërthyera mbi thithkë. Kjo idiotësi ka ndodhur sepse politika anëtarësimin në BE e ka shndërruar jo në një objektiv kombëtar, por si një element të garës së egër politike. Kur Shqipëria u anëtarësua në NATO, Berisha brohoriti fitore. Kishte pasur fat, anëtarësimi në NATO u bë në kohën e qeverisjes së tij, porse ai harroi të thoshte se këto punë nuk kanë lidhje me persona, apo me suksese politike, por me faktorë globalë gjeopolitikë që vendosen shumë larg prej Berishës, Ramës, Shqipërisë vetë. Kur erdhi puna të reformat PS dhe Rama e nuhatën se një anëtarësim i shpejtë në BE do të ishte deklamuar sërish si sukses i Berishës. Dhe ky, sipas konceptit shqiptar mbi liderin, do të ishte i dyti i madh e historik. Tepër për një lider të debatuar si Berisha. Në PS, askush nuk e thotë haptazi, por loja ishte e qartë: nga libri i madh me 12 detyra shtëpie, mjafton të mos bësh një dhe ngelesh në klasë. Socialistët vendosën të ngeleshin duke tërhequr me vete edhe Berishën dhe PD. Lopa Europë duhej të priste edhe ca, njësoj sikur ajo të kishte nevojë për ne dhe jo anasjelltas.

Europa e mjegulluar

Në shkollat tona, me mjaft probleme duhet pranuar, mësohet se çfarë është Europa e Bashkuar, se cila është historia e saj, se cilat janë institucionet që vendosin e kështu me radhë, por megjithatë ka një gjë që nuk shkon. Më e para nga të gjitha është ideja e përhapur gjerësisht se me anëtarësimin në BE, hallet tona mbarojnë, të paktën pjesa më e madhe e tyre. Do të jemi më të qetë e më të shpenguar, do të bëjmë një jetë prej francezi të mesëm, do të kemi një begati deri diku të garantuar, madje edhe portretet tona do të ndryshojnë, të gjithë do të përshëndesim njëri-tjetrin me njerëzillëk e elegancë. Ah, ato dreq 12 pikash! Sikur t’i kishim kryer e të rrinim rehat! Me një fjalë i gjithë përfytyrimi ynë për atë që na pret së shpejti mund të përmblidhet me vargjet e një kënge të famshme të Luço Dalës së ndjerë: do të jetë aq bukur saqë “edhe priftërinjtë mund të martohen, por ama vetëm në një moshë të caktuar”.

Askush nuk u ka shpjeguar shqiptarëve se rruga për të qenë europianë të vërtetë është e gjatë, e lodhshme, plot privacione e sakrifica. Askush prej atyre që e kanë për detyrë t’ua thonë, nuk u ka shpjeguar se Europa nuk është thjesht një koncept gjeografik, as “kurvë”, as lopë për t’u mjelë, porse një hapësirë ku çdo gjë është arritur vetëm falë punës, shkollimit, shkëmbimit të lirë të ideve, luftës ndaj hipokrizisë, hajnisë e servilizmit dhe sidomos, respektit për njeriun. Nëse nuk e kuptojmë kështu, mund të plotësojmë në letër jo 12, por edhe 1200 kushte, por ama, sado hidhur të na vijë, nuk do të jemi kurrë europianë. Nga ata të vërtetët bëhet fjalë, pa të tjerë me lëkurë të bardhë ka plot sa të duash edhe gjetiu.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel