Një austriak është gjithmonë e më pranë realizimit të një rekordi të pabesueshëm, atë të hedhjes nga një lartësi prej pothuajse 40 kilometrash.
Askush më parë nuk është hedhur nga stratosfera drejt sipërfaqes së planetit, ndërsa rënia e lirë do të arrijë shpejtësi të pabesueshme në mbi 500 kilometra në orë. Rekordi për hedhjen nga lartësia më e madhe është i fiksuar në 30 kilometra.
Në kuadër të përgatitjeve për hedhjen që do të realizojë në verë, Felix Baumgartner realizoi ditën e enjte një provë të suksesshme, duke u lëshuar nga një balonë me helium, nga një lartësi prej 25 kilometrash mbi shtetin e Nju Meksikos, në SHBA.
Austriaku realizon hedhjet e tij në bordin e një kapsule, ndërsa i gjithë procesi nuk ka pothuajse asgjë të përbashkët me parashutizmin e zakonshëm.
”Pamja është shumë më e bukur nga ajo që kisha menduar se do të shihja nga 25 kilometra mbi tokë. Jam shumë i kënaqur me përgatitjet e deritanishme”, u shpreh austriaku 42 vjeçar.
Aktualisht, rekordi për hedhjen nga lartësia më e madhe mbahet nga një amerikan, Joe Kittinger dhe ai është vendosur në vitin 1960, por brenda disa muajsh, nëse gjithçka do të shkojë mirë, Baumgartner do të spostojë më tej kufirin e hapësirës me njeriun.
Sa për të dhënë një shembull, avionët komercialë fluturojnë përgjithësisht në lartësitë 10 kilometra, shprehur me 30 mijë këmbë në njësitë e matjes së aeronautike.
Top Channel