Haxhinasto në Shkup: Hetoni vrasjet

16/03/2012 00:00

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond
Haxhinasto deklaroi në Shkup se Tirana mbetet në kërkesën për zbardhjen e
të gjitha incidenteve, përfshirë dhe rrahjen e dhjetëra nxnënësve
shqiptarë në Shkup nga grupe të maqedonasve etnik.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Kemi kërkuar hetim të plotë të ngjarjeve, kemi kërkuar që institucionet e zbatimit të ligjit të vënë para drejtësisë personat përgjegjës. Kemi kërkuar gjithashtu që të gjithë përfaqësuesit politikë të tregojnë maturi, të tregojnë qetësi dhe mbështetje për institucionet e ligjit për trajtimin e këtyre ngjarjeve”, deklaroi Ministri Haxhinasto, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Poposki, bën të ditur EJL.

Shefi i diplomacisë shqiptare është pyetur edhe lidhur me djegien e flamurit maqedanas në Burrel të Shqipërisë dhe me këtë rast ka dënuar jo vetëm këtë akt por edhe atë të djegies së flamurit shqiptar.

“Kam parë edhe incidente në të cilat është djegur flamuri shqiptar. Incidentet e tilla nuk guxojnë të ndodhin, pasi simbolet kombëtare janë të shenjta për çdo komb, për çdo qytetar. Por, ne sot konstatuam se këto incidente nuk i prishin raportet tona të shkëlyqeshme. Do të përsërisë edhe njëherë se është shumë me rëndësi që institucionet të veprojnë sipas ligjit”, u shpreh Haxhinasto.

Gjatë qëndrimit në Maqedoni, zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, është pritur edhe nga zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë.

Takime me politikanët shqiptarë

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto gjatë qëndrimit në Shkup ka takur edhe politikanët shqiptarët të Maqedonisë. Lideri i partisë shqiptare në pushtet Ali Ahmeti, mes tjerash ka kërkuar nga kryediplomati shqiptar ndihmën e Tiranës për integrimin e Maqedonisë në NATO.

“Sic e dijmë të gjithë Shqipëria është një vend anëtar i plotëfuqishëm dhe të lobohet edhe më tej sepse është interes strategjik, politik, rajon dhe për paqen dhe stabilitetin edhe më të gjërë të rajonit që Maqedonia tëe hyjë në NATO”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Nënkryetari i PDSH-së në opozitë, Imer Aliu, ka njoftuar z.Haxhinasto me zhvillimet e fundit në Maqedoni. Sipas Aliut, incidentet ndëretnike e kanë rënduar situatën e përgjithshme në vend.

“Krejt këto vijnë si pasoj e përuljes totale të BDI-së në këtë Qeveri ku ata kanë vërtetuar se nuk kanë dije, nuk munden që ti mbrojnë shqiptarët. Si pasoj është krijuar një situatë ku cdo kush mund të rreh dhe të vret shqiptarë dhe të jetë i sigurtë se alibin do tju krijoj ministry apo kryeministri. Është një situatë e rënduar”, tha Imer Aliu, nënkryetar i PDSH-së.

Kryediplomati shqiptar gjatë ditës është takuar edhe me dy zëvendëskryeministrat shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë me të cilët ka biseduar për aktivitetet në lidhje me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, proceset eurointegruese të Maqedonisë dhe për Marrëveshjen e Ohrit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB