Xhoana është 8 vjeç, por zhvillimin e ka për një fëmijë 5-vjeçar.
Ajo është një nga nxënëset më të dashura në shkollën speciale “Luigj Gurakuqi”, e cila është një institucion për fëmijë me aftësi të kufizuar mendore.
Psikologia e shkollës, Eriselda Metaj na tregon se Xhoana është përmirësuar shumë që kur filloi klasën e parë. Ecën mirë me mësimet pavarësisht vështirësive që paraqet diagnoza e saj dhe ka prirje të theksuara për muzikë.
“Do muzikën dhe pëlqen të bukurën. Ka prirje të theksuara për artin në përgjithësi”, shprehet Metaj.
Por për mamanë e saj, Dritën, vajza duhet të shkojë në një shkollë publike, gjë e cila do ta ndihmonte per ta integruar në shoqëri. Xhoana tashmë është në klasë të tretë.
“Njeh numrat, shkronjat teke, por duhet të mësonte më shumë deri tani”, thekson nëna e 8-vjeçares.
Për nënën këto nuk janë të mjaftueshme. Është e bindur se në një shkollë publike Xhoana do kishte përparuar më shumë. Edhe për vete shkollën kjo është një sfidë.
“Krenaria e shkollës është që ne të përgatisim nxënës që mund t’i çojmë në shkolla publike”, thotë psikologia e shkollës “Luigj Gurakuqi”.
Pavarësisht asaj që familja dëshiron të arrijë për këta fëmijë, mjedisi nuk është dashamirës.
“S’dua të më thonë për vajzën “është gjynah”. Dua të futet në lojë, por prindërit u thonë fëmijëve të tyre të mos luajnë me të se është e sëmurë. Më shumë më vret kjo se fëmija”, shprehet nëna e Xhoanës.
Top Channel