Skafet, Gaçi letër deputetëve

14/03/2012 19:30

Një ditë para se në Parlament të shqyrtohet kërkesa e Partisë Socialiste për shfuqizimin e moratoriumit të mjeteve lundruese, deputeti socialist Artan Gaçi i ka nisur një letër të gjithë deputetëve të maxhorancës në qarqet bregdetare e atyre me dalje në liqenin e Shkodrës, Fierzës e Pogradecit.

Ai u kërkon atyre që të votojnë për të shfuqizuar moratoriumin e mjeteve lundruese, ligj që sipas tij ka bllokuar zhvillimin turistik e ekonomik të Shqipërisë.

“Moratoriumi e ka vendosur Shqipërinë në një pozicion të turpshëm krahasuar me fqinjët bregdetarë që e shohin turizmin si burim mirëqënieje për qytetarët e tyre”, thuhet në letrën e deputetit Gaçi.

“Zgjatja e moratoriumit vetëm sa do të thellonte absurditetin e një ligji që nuk përmbush asnjë qëllim, përveç penalizimit të industrisë së turizmit”, nënvizohet në të.

Një ditë më parë, grupi parlamentar socialist dorëzoi në Kuvend dokumentin nëpërmjet të cilit kërkohet shfuqizimi i moratoriumit të skafeve, në fuqi që prej 3 prillit të vitit 2006.

Në relacionin përkatës që shoqëron nismën ligjore, deputetët socialistë thonë se, “po bëhen gjashtë vjet nga moratoriumi i skafeve dhe edhe pse mund të jetë konsatuar ulje e trafikut të drogës, veçanërisht në periudhën e parë, moratoriumi pati efekte shkatërrimtare dhe paralizuese për turizmin detar”.

Gjithashtu, pavarësisht moratoriumit, së fundmi janë konstatuar jo pak raste të trafikut me gomone të drogave të lehta nga Shqipëria drejt vendeve fqinje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA