Simeone nuk kërkon alibi: Penalltia ndaj Griezmann? Ndonjëherë edhe arbitrat gabojnë…
Nuk do të ketë revolucion tek Interi, të paktën jo për momentin.
Massimo Moratti nuk ka ndërmend të shkarkojë Claudio Ranierin pas eliminimit të zikaltërve nga Liga e Kampioneve.
“Në një mbrëmje si kjo nuk më duket e drejtë të marr masa. Nuk ka faj trajneri, por kolegu i tij francez (Didier Deschamps) kishte më shumë fat sot”, u shpreh presidenti i Interit menjëherë pas ndeshjes.
Para se të largohej nga stadiumi, Moratti shtoi për mediat italiane: “Nëse do të kishim humbur 4-0 do të mendoja ndryshe, por kemi pësuar dy gola në kohën shtesë dhe nuk mund të jap një gjykim negativ për teknikun sepse Ranieri nuk e meriton gjykimin negativ.”
Ndërsa vetë Ranieri theksoi: “Për momentin Interi është ky. Nëse Moratti do të vendosë të më zëvendësojë sezonin e ardhshëm do e falenderoj për mundësinë që më dha.”
Deschamps: Një rezultat i madh për Marseille
Didier Deschamps, tekniku i Marseille, u shpreh shumë i lumtur në konferencën për shtyp pas humbjes 2-1 që skuadra e tij pësoi në San Siro, rezultat që i dha kualifikimin pasi në ndeshjen e parë francezët kishin fituar 1-0.
“Është një kënaqësi e madhe sepse në kampionat po kalojmë momente shumë të vështira. Jemi një klub i vogël, ndërsa Interi një skuadër e madhe. Është një lumturi e jashtëzakonshme të humbësh në këtë mënyrë. Shpresojmë që shorti të na ndihmojë në çerekfinale, por ne e kemi arritur objektivin tonë që i kishim vënë vetes në fillim të sezonit”, theksoi tekniku francez.
Top Channel