Kriza që vjen nga nafta

14/03/2012 00:00

Që prej fillimit të vitit çmimi i naftës në tregjet botërore është
rritur me rreth 15 për qind. Në tregun e brendshëm, rritja ka qenë edhe
më e lartë, për shkak se efektit të bursave i shtohet edhe rritja e
taksave nga qeveria.

Në pikat me pakicë çmimi i naftës, po i afrohet nivelit 200 lekë për litër duke e vendosur ekonominë kombëtare të ndrydhur nga kriza përballë një testi tjetër. Ndonëse i vetmi vend në rajon që prodhon naftë, Shqipëria sërish është importuese neto e karburanteve.

Vitin e kaluar, importet për këtë zë ishin 960 milionë dollarë, ose gati 9 për qind e Prodhimit Kombëtar. Eksportet ndonëse në sasi thuajse të barabarta me importet, në vlerë ishin për të njëtën periudhë 417 milionë dollarë ose 2.3 herë më pak, pasi Shqipëria shet naftën e saj me çmim të ulët dhe ble shtrenjtë nga jashtë.
Defiçiti vjetor i karburanteve luhatet nga 500 deri në 540 milionë dollarë, shifër kjo gati sa 5 për qind e Prodhimit Kombëtar. Kjo do të thotë se për cdo rritje me 10 për qind të çmimit të naftës në tregjet botërore, kostot shtesë që paguan ekonomia shqiptare janë sa 0.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Por përkeqësimi i bilancit tregtar nuk është goditja e vetme që jep nafta në ekonomi. Shtrenjtimi i karburanteve rrit kostot për biznesin. Në kushtet kur kërkesa në treg ka rënë për shkak të krizës, rritja e kostove mund të tkurrë më shumë prodhimin dhe dhe investimet e reja.

Për vite me radhë ekonomistët i kanë studiuar gjatë efektet që cmimi i naftës ka në rritjen ekonomike. Shumica e tyre kanë dalë në përfundimin se një rritje me 10 për qind e cmimit të karburanteve, e ul rritjen ekonomike të një vendi mesatarisht me 0.2 për qind, në varësi të strukturës së ekonomisë. Por përtej shifrës së saktë, e sigurtë është se cmimet e larta të naftës mund të tkurrin më shumë rritjen ekonomike, sakaq në nivelet më të ulëta.

Top Channel