Heynckes: Ishte mbrëmja perfekte!

14/03/2012 09:00

Bayern Munchen u kualifikua për në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve duke regjistruar goleadën më të thellë në historinë e klubit në kompeticionin më të rëndësishëm europian (7-0) dhe për këtë arsye tekniku i bavarezëve theksoi se ekipi i tij realizoi “ndeshjen perfekte”.

“Dua të lavdëroj të gjithë ekipin. Djemtë kanë vazhduar atë që nisën në ndeshjen ndaj Hoffenheim. E vura re gjatë stërvitjeve të javës që skuadra donte të kualifikohej me çdo kusht, ishim shumë të përqendruar. Zhvilluam një ndeshje të madhe që nga minuta e parë deri tek e fundit. Bëmë atë që duhej: shënuam gol që në minutat e para të takimit”, deklaroi tekniku gjerman pas ndeshjes.

“Ishte ndeshja perfekte! Kur shënuam të dytin dhe të tretin Bazeli u demoralizua dhe gjithçka u bë më e lehtë për ne”, shtoi Heynckess.

Ndërsa Mario Gomez, autor i katër golave në ndeshjen që përfundoi 7-0, deklaroi: “Ndeshja e fundjavës me Hoffenheim ishte e rëndësishme. Bëmë presion që në fillim dhe e gjetëm shpejt golin. Ishte një ndeshje e mrekullueshme. Gjëja më e mirë është rikthimi i besimit në lojën tonë.”

Top Channel