Një herë e një kohë ai ishte fytyra e bukur e bandës së rockut, Guns n’ Roses por liderin dhe këngëtarin Axl Rose duket se nuk e ka marë për mirë plakja.
Duke performuar në Los Angelos ai dukej mjaft i lodhur dhe i fryrë. Këngëtari, i cili mbushi 50 vjeç muajin që shkoi, dukej hija e vetes së tij dhe ishte e vështirë për ta dalluar kur u ngjit në skenë.
Veshur me xhinse dhe një xhaketë të zeze lëkure, rockeri ruante ende disa energji si në kohët e vjetra kur këndoi disa nga hitet klasike si “Sweet Child of Mine”.
Ai i mbulonte flokët e tij me një kapelë të zezë që i bënte hije në pjesën më të madhe të shfaqjes. Por pasi e hoqi atë i doli në pah fytyra e rrumbullakosur dhe palat në qafë.
Guns n’ Roses do të prezantohen në “Rock n’ Roll Hall Of Fame” në 14 prill të këtij viti dhe bashkë me Axl do të jenë edhe miqtë e tij të vjetër të grupit: Slash, Duff, Steven dhe Izzy.
Nga raportimet e para thuhet se ish-anëtarët e grupit nuk do të performojnë sërish së bashku në këtë mbrëmje.
Axl Rose vazhdon të mbajë “gjallë” grupin Guns N’ Roses edhe pse është vetëm hija e tij kur e krahason me kohët e lavdishme. Veç tij, në bandë nuk bën pjesë askush nga anëtarët që e formuan GNR.
Top Channel