Ranieri: 70 ditë për të ndryshuar sezonin

09/03/2012 10:35

Ndeshja me Chievon në Serinë A dhe ajo me Marseille në Champions League janë thelbësore për të ndryshuar një sezon që deri tani ka qenë krejtësisht i mprapshtë për Interin.

Këtë e tha vetë trajneri Claudio Ranieri, i cili në një konferencë për shtyp u shpreh: “Kemi 70 ditë për të ndryshuar fatet e këtij sezoni që deri tani ka qenë absurd. Ndaj Chievos do të jetë e vështirë, pasi është një skuadër që di të luajë dhe këtë e tregoi edhe në barazimin e marrë në Torino ndaj Juventusit. Ky nuk ka qenë një kampionat i mirë për ne, por kemi ende një shans për të ndryshuar fatet tona”.

Ndonëse përmbysja e rezultatit në Champions është shndërruar në objektivin kryesor për zikaltërit, Ranieri foli për domosdoshmërinë e një rezultati pozitiv në kampionat. “Chievo është i ndryshëm nga Marseille, por ne i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës dhe tani duhet të përqendrohemi në kampionat. Kjo nuk është një fazë e mirë për ne, por në 20 minutat e fundit ndaj Catanias bëmë një reagim të shkëlqyer dhe tashmë duhet të luajmë me vendosmëri dhe dëshirë, pasi vetëm kështu mund t’ia dalim mbanë”.

Ranieri iu përgjigj edhe spekulimeve për largimin e tij nga detyra. “Jetojmë në Itali dhe unë e di se si funksionon. Unë ndihem mirë dhe i qetë, pasi në këtë drejtim më ndihmon edhe përvoja që kam. Ju siguroj se jam i karikuar, i vendosur dhe me dëshirë për të ndryshuar situatën”.

Në barazimin 2-2 me Catanian, në qendër të vëmendjes së medias u vendosën lotët e inatit të Cambiassos. “Nuk i pashë gjatë ndeshjes, por nuk befasohem, pasi ai është një lojtar i lidhur jashtëzakonisht shumë me skuadrën. E di se sa i ka dhënë Interit dhe se sa Interi ka dhënë për të. Doja të shkoja t’i flisja, por ishte ai që erdhi i pari tek unë. Megjithatë, nuk dua të tregoj se çfarë biseduam”.

Top Channel