Prej dy ditësh koreografi kryesor i Teatrit të Operas dhe Baletit, Agron Aliaj, ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak. Profesori i preferuar i sa e sa balerinëve shqiptarë me famë në botë ende e ka të pamundur të lëvizë.
Por, shefi i neokirurgjisë, Fatos Olldashi, na siguron se gjendja është larg asaj që shkruajnë gazetat: “Ka një dëmtim të palcës në pjesën e qafës dhe një dobësi në lëvizjen e duarve, por është në parametrat normalë jetësorë. Gjendja ka filluar të përmirësohet dhe ne kemi filluar të diskutojmë alternativat e trajtimit të mëtejshëm. Në këto alternativa përfshihet edhe një ndërhyrje kirurgjikale.”
Familjarët e koreografit të madh ende nuk dinë kë të besojnë, mjekët apo ato që shohin vetë në dhomën e spitalit. Bashkëshortja e Aliajt thekson se koreografi ka pësuar një dëmtim shumë të rëndë në shtyllën kurrizore.
Në mbrëmjen e aksidentit Agron Aliaj po dilte nga provat në Teatrin e Operas dhe Baletit, shtëpinë e tij të dytë. Së shpejti do të vinte në skenë një tjetër shfaqje. Lajmi ishte tronditës për balerinët e tij, veçanërisht për bashkëpunëtoren e tij më të ngushtë, solisten e këtij teatri, Enada Hoxha.
“Po përgatisnim premierën e Gjergj Elez Alisë sepse për dy javë do të dilnim në skenë. Nuk kam qarë para tij sepse ai ishte shumë optimist për jetën. Më fliste me aq pasion dhe unë e përgëzoj për dashurinë që kishte ndaj jetës”, shprehet Enada.
Është shumë e vështirë të kuptosh baletin klasik pa praninë e mjeshtrit Agron Aliaj, i cili pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar në ndërtesën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Cdo ditë mungesë e tij vetëm sa zmadhon boshllëkun në skenën tonë.
Top Channel