Topi-Berisha, e djathta në mes?

06/03/2012 19:35

Përçarja ndaj Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës është e hershme. Të paktën, që me ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, kur Presidenti iu kundërvu hapur ndryshimeve sipas të cilave këtej e tutje kreu i shtetit mund të zgjidhej edhe 71 vota.

Konflikti vazhdoi me debatin për kompetencat e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, për ligjet e refuzuara për t’u dekretuar, etj. Deri këtu, debati ishte më shumë institucional, për çështje të kompetencave.

Por, një prej ligjeve që presidenti jo se e ktheu mbrapsht, por thjesht nuk e dekretoi dhe e la të hyjë në fuqi me heshtjen e tij, është ligji për lustracionin. Në një takim me familjarë të të pushkatuarve për bombën në ambasadën sovjetike, kryeministri i përmendi presidentit pikërisht këtë fakt.

Presidenti, që e ka sqaruar në të shkuarën arsyen e mosfirmosjes, kujtoi thjesht se ligji nuk mori miratimin e Komisioni të Venecias dhe u rrëzua si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.

Por, presidenti u kundërpërgjigj në kuadrin moral, duke i kujtuar kryeministrit se ka qenë sekretar partie dhe ka 20 vjet që nuk i ka dhënë ende asnjë zgjidhje as çështjes së të përndjekurve dhe as asaj të pronave. Një kundërpërgjigje e fortë kjo, si rrallë ndonjëherë.

Analistët vënë re një fakt: që kryeministri e ka goditur presidentin kohët e fundit në dy pika precize: pronat dhe të përndjekurit, pa llogaritur edhe familjen, me përmendjen e emrit të doktor Flamurit, vëllait të presidentit.|

Që kur presidenti ka lënë të hapur mundësinë e marrjes me politikë pas përfundimit të mandatit, ndonëse ai nuk ka folur kurrë konkretisht për ndonjë parti politike, kryeministri është përjekur ta delegjitimojë pikërisht në ato shtresa që mund të përbëjnë elektoratin e ardhshëm të Bamir Topit: të përndjekur dhe ish-pronarët.

Për pronat, figura të ndryshme nga mazhorancës apo pranë saj e kanë akuzuar presidentin se është përpjekur të përfitojë prona që nuk i përkasin atij apo familjes së tij.

Sa i takon të përndjekurve, kryeministri e akuzon Presidentin pikërisht për ligjin për lustracionin. Por, duke deklaruar se është pro një ligji të mirë lustracioni dhe është pro edhe hapjes së dosjeve, nga të cilat do të dilnin çudira, presidenti e ka lënë këtë herë topin në kampin e kryeministrit. Çështja është se kë do të besojnë njerëzit? Kryeministrin, apo presidentin?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA