Podolski mund të kalojë tek Arsenal

06/03/2012 00:00

Lukas Podolski mund të transferohet te Arsenali sezonin e ardhshëm. Lajmi publikohet nga e përditëshmja gjermane ‘Bild’ sipas së cilës, sulmuesi gjerman mund të largohet nga Këlni për vetëm 5 milionë paund.

Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, Podolski ka në kontratën e tij një klauzolë që e lejon atë të shkojë në një skuadër tjetër nëse Këlni bie në divizionin e dytë.

Ditët e fundit u fol shumë për arritjen e një marrëveshje mes Arsenalit dhe Podolskit, ndërkohë që Këlni u përpoq shumë për rinovimin e kontratës me futbollistin.

Por duke parë situatën ku ndodhet Këlni, kjo dëshirë duket e pamundur për t’u realizuar. Megjithatë Podolski nuk dëshiron të flasë për të ardhmen e tij në këtë moment, pasi është i përqendruar te mbyllja e sezonit aktual në Bundesligë.

‘Do të jap më të mirën time për Këlnin deri në fund të sezonit-ka deklaruar Podolski-kemi edhe 10 ndeshje për të luajtur dhe secila prej tyre është si një finale për ne. Të shtunën do të luajmë ndaj Hertës së Berlinit dhe opsioni i vetëm për ne është fitorja’.

Top Channel